Asnjë detyrim ndaj klubit, Kupa “shpëtoi” lojtarët e Tiranës nga gjoba

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2017 | 15:10

Asnjë detyrim ndaj klubit, Kupa “shpëtoi” lojtarët e Tiranës nga gjoba

E çuditshme, por ja që edhe kjo ka ndodhur. Dhe shkresat në kësi rastesh nuk gënjejnë kurrë. Edhe pse Tirana ra nga kategoria, ka mjaftuar fitimi i Kupës së Shqipërisë që t’i “shpëtojë” lojtarët prej penaliteteve që kanë pasur në kontratë me vulë dhe firmë.

Askush prej bardhebluve, duke iu referuar klauzolave, nuk ka asnjë detyrim financiar karshi klubit për sezonin e dështuar. Me prerjen e një “bilete” për në fazën paraeliminatore në Ligën e Europës, futbollistët zyrtarisht shmangin 15-përqindëshin që kanë pasur si masë, në rast se mbeteshin jashtë këtij kompeticioni.

Tirana kupa

Katastrofa në kampionat ka “nxirë” historinë e lavdishme të klubit më të titulluar në vend, por trofeu i marrë përballë Skënderbeut të mërkurën në “Elbasan Arena” eviton gjobat. E thënë ndryshe, drejtuesve nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’u përgjigjen një më një lojtarëve sa u përket termave financiarë, duke respektuar atë që është nënshkruar me vullnet dypalësh.

Tirana

Edhe pse një pjesë e mirë e fajit për ecurinë zhgënjyese që kryeqytetasit patën në vitin e ’97 të krijimit rëndon edhe mbi futbollistët, në fund ata do të dalin pa u “lagur”. Madje, vlen të përmendet se ka edhe nga ata elementë, këtu në fakt futen të huajt që Tirana ka pasur në organikë, që me përfshirjen në zonën “Euro”, do të përfitojnë edhe bonus.

tirana

Nuk dihen shifrat konkrete, por afrikanët jo vetëm që evitojnë penalizimin në masën 15%, por do të marrin edhe shpërblim. Në klub kurrë nuk është menduar rënia në inferiore dhe, për këtë motiv, në kontratat e hartuara nuk ekziston asnjë pikë që parashikon gjobitjet.

Kjo bën që lojtarët të përfitojnë rrogat e plota, duke mos marrë përgjegjësi financiarisht për dramën e përjetuar. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë nga lojtarët të dalë vullnetar dhe të pranojë penalitetin me dëshirë, por sigurisht që në këtë listë përjashtohen të huajt, që në tilla raste kurrsesi nuk falin.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"