Asnjë afrim në merkaton e janarit, surprizon trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë: Jemi mirë kështu…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2021 | 22:07

Asnjë afrim në merkaton e janarit, surprizon trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë: Jemi mirë kështu…

Ka kaluar më shumë se dy javë nga janari, por Pogradeci ka mbetur në vendnumëro. Asnjë afrim në merkato, ndonëse kishin si ide që t’i bënin të paktën 2 ndërhyrje.

Ardian Abazaj

E megjithatë, Ardian Abazaj nuk shqetësohet. Ai ngushëllohet me ruajtjen e grupit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpjegon si kanë shkuar këto ditë përgatitjesh dhe u ndal te objektivat.

Asnjë afrim në merkato, çfarë po ndodh te Pogradeci?

Nuk besoj se do të kemi ndonjë ndërhyrje në merkato. Unë vazhdoj të besoj se nuk mund të gjesh dot në këtë periudhë futbollistë më të mirë se këta që kam në ekip. Ndërkohë, edhe stolin e kemi cilësor. Unë mendoj se është më mirë të punoj me këtë grup, sesa të shpresoj te ndonjë afrim që do kohën e vet për t’u përshtatur me ekipin.

Po të bëjmë një analizë të asaj që ka kaluar, sipas jush, sa pikë ju mungojnë?

Nuk kemi shumë pikë në renditje. E filluam keq, por u ringritëm. Pas tri fitoreve radhazi diçka nuk shkoi sërish dhe aty ndikoi sa fati aq edhe gjykimet tendencioze, ndaj jemi sot këtu. Por, unë besoj shumë se ky grup lojtarësh ka për të pasur kthesë.

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Së pari, pres performancë në rritje, ndonëse nuk ka munguar. Duhet një ekip më pragmatist, pasi nuk mjafton të bësh lojëra të mira, duhen pikët. Futbollistët duhet të jenë më të përqendruar para portës. Ne krijojmë raste, por edhe shpërdorojmë. Së fundmi, duam që gjykimet të jenë sa më të drejta dhe të mos penalizohemi. Mua nuk më pëlqen të merrem me këtë pjesë, por dua më shumë respekt për punën që ne bëjmë.

Keni guxuar duke u besuar të rinjve, madje duke ulur edhe ndonjë titullar në stol…

Më vjen mirë që kam edhe 19- vjeçarë në formacion. Unë jam me parimin që në fushë të luajë ai që e meriton, nuk ka fort rëndësi mosha.

Mund të na thoni diçka për objektivat që keni?

Nuk ka ekip pa objektiva. Ne gjithnjë kemi thënë se synojmë të renditemi në një nga tri vendet e para. Këtë objektiv kemi për momentin. Më pas objektivi mund të ndryshojë sipas ecurisë. Pavarësisht se nuk jemi në kryesim, ne besojmë se shumë shpejt do të jemi mes katër ekipeve të kreut.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"