Asllani super, Italia mahnitet nga Bajrami: Jep leksione futbolli!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 19:20

Asllani super, Italia mahnitet nga Bajrami: Jep leksione futbolli!

Edhe sikur të kërkonim, asnjëri prej nesh nuk do të gjente një skenë më të bukur dhe më të rëndësishme se kampionati italian dhe një ndeshje me kampionët e Serisë A, për të dhënë një shfaqje shqiptare. Bajrami, Asllani dhe Ismajli arritën ta çonin në shtesë ndeshjen e Kupës së Italisë me Interin, duke i kthyer edhe një herë të gjithë projektorët drejt tyre.

NEDIM BAJRAMI

NEDIM BAJRAMI – Nedim Bajrami ishte pa dyshim njeriu i mbrëmjes së djeshme. Sapo u fut në fushë me nisjen e pjesës së dytë, mesfushori shqiptar arriti të ndryshojë fytyrën jo vetëm të skuadrës së tij, por edhe të gjithë ndeshjes, një ndeshje që deri në ato momente kishte parë raste zikaltër, por jo lojë të bukur.

Inkursione, kilometra, driblime, me pak fjalë spektakël i fantazistit që sinjalin e parë e dha kur goditi portën nga distanca. Me kalimin e minutave, 22-vjeçari filloi depërtimin mes mbrojtësve zikaltër dhe u gjend shpesh në zonë, aty ku shndërroi në gol dhe asistin e Asllanit që e shoqëroi me festimin me shqiponjë.

Nedimi nuk u ndal pas golit dhe vazhdoi të krijonte duke ngjallur gjithmonë panik në zonën e Interit. Puna fantastike e Bajramit e kurorëzoi si më të mirin e të tijve dhe e vlerësoi me notën 7.5.

NEDIM BAJRAMI 2

Nota 7.5 – Sapo hyn i jep tjetër ritëm ndeshjes me prekje klasi e lojë mes linjash. Çmend mesfushën zikaltër që e ka të pamundur ta ndalë dhe shpik një gol që trondit “San Siro”-n. Leksion futbolli.

KRISTJAN ASLLANI – Pas minutave që ka pasur në dispozicion në ndeshjen e kampionatit përballë zikaltërve, Aurelio Andreaxoli i ka besuar mesfushorit të Shpresave një fanellë titullari në sfidën e djeshme.

KRISTJAN ASLLANI

Për 19-vjeçarin ishte hera e dytë që e niste nga minuta e parë dhe këtë herë minutat e tij shënuan në total 100. Një nga paraqitjet më dinjitoze të djaloshit nga Elbasani, jo vetëm për cilësitë teknike që tregoi, por edhe për asistin e tij të parë, për të cilin është vlerësuar nga mediat italiane.

Nota 7 – E gjen gjithmonë duke vrapuar dhe kur spostohet në të majtë bëhet i rrezikshëm. Prekja në zonë që dërgon topin te Bajrami premton shumë. Jep çdo gjë dhe zëvendësohet në të 97′.

ARDIAN ISMAJLI – Pak minuta në fund të ndeshjes edhe për Ismajlin që nuk mundi të bënte shumë, por pushoi pas një angazhimi të vazhdueshëm të tij në kampionat.

Nota 6 – Nuk mund të bëjë shumë kur hyn, vuan disi forcën e gjigandëve zikaltër të sapohedhur në fushë.

Përgatiti: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"