Asllani në qendër të Açerbi-Xheko, Interi ndryshon aks/ Ja si do të vendosen zikaltërit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 15:31

Asllani në qendër të Açerbi-Xheko, Interi ndryshon aks/ Ja si do të vendosen zikaltërit

Interi nuk është në momentin më të mirë të tij për të ndryshuar boshtin e skuadrës, por dëmtimet dhe lojtarët jashtë pritshmërive e kanë detyruar Inzagin që ta nisë këtë tur force me të tjerë protagonistë. Ndryshe nga ç’mund të kishte menduar në verë trajneri dhe gjithë skuadra, sot përballë Murinjos, shtylla kurrizore e skuadrës do të përbëhet nga Açerbi, Asllani e Xheko.

INTER

Nga qendërmbrojtësi që duket i rilindur tek Interi te sulmuesi veteran, tuneli do të kalojë në këmbët e regjisorit elbasanas, që do të marrë për herë të parë përgjegjësinë e titullarit.

BOSHT I NDRYSHEM – Nëse aksi mbi të cilin duhej të qëndronte Interi i Simones në fillim ishte De Vraj-Brozoviç-Lukaku, treshja e re e formuar është jo vetëm novatore, por ngjall edhe kureshtje. Dy prej tyre janë mbi 30 vjeç dhe në mes është një filiz i ri prej të cilit pritet shpërthimi. Dëmtimet e Brozoviçit dhe Lukakut, ashtu si paraqitjet poshtë niveli të De Vrajit, do të sjellin edhe ndaj Romës një 11- she ndryshe, ashtu si kemi parë në çdo ndeshje të këtij sezoni.

Në fakt Inzagit nuk i kanë shkuar dhe aq mirë rrotacionet në këto javë të para të kampionatit, por pavarësisht kësaj, Simone ka qenë në një farë mënyre i detyruar ta bëjë nisur mbi të gjitha nga kalendari i ngjeshur e më pas edhe nga dëmtimet. Asnjëherë gjatë këtij sezoni Interi nuk ka pasur të njëjtin formacion startues në dy ndeshje radhazi dhe ai me Romën do të jetë i dhjeti rrotacion në po kaq ndeshje, duke treguar më shumë se një shenjë fleksibiliteti, një shenjë pasigurie. Por për t’u rikthyer te protagonistët, tek ata që do të zbresin sot në fushë, Açerbi nuk është i përkohshëm në vendin e tij. 34- vjeçari ka shpërblyer në ato dy paraqitje të gjithë këmbënguljen e Inzagit për ta pasur në skuadër, duke sjellë përvojë dhe duke mbushur hapësirat që De Vraj lejonte në treshen me Shkriniarin e Bastonin.

Nga ana tjetër Xheko e ka ditur që në fillim të sezonit se do t’i duhej të bënte zëvendësuesin e Lukakut, por 36-vjeçari shpesh ka qenë më i miri në fushën e lojës, duke mbajtur gjallë edhe shpirtin e skuadrës. Në këtë Inter konfuz dhe ende të paqëndrueshëm, vëmendjen padyshim që e merr Kristjan Asllani, që ka mundësinë të tregojë të gjithë potencialin e tij në një ekip që më shumë se kurrë ka nevojë për balancën që mund të sigurojnë këmbët e 20- vjeçarit.

INTERI

Në qendër të skuadrës, për të dirigjuar lojën dhe për të rikthyer zikaltrit te fitorja, mesfushori ka ndoshta peshën më të madhe të këtij aksi, për të mbajtur në këmbë skuadrën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"