“Askush s’prodhon lojë më shumë se ne, por shpërdorojmë”, zona “play off”, Kanarsa: Apolonia e ka vetë në dorë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2022 | 10:49

“Askush s’prodhon lojë më shumë se ne, por shpërdorojmë”, zona “play off”, Kanarsa: Apolonia e ka vetë në dorë!

Apolonia do të ndeshet në transfertë me Turbinën, një ndeshje mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat, duke ditur pozicionin në renditje. Trajneri Juri Kanarsa në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ka treguar punën që është bërë gjatë ndërprerjes së kampionatit, duelin me Turbinën, si dhe për vazhdimësinë e Apolonisë në javët e mbetura.

Juriy KANARSA

Sa ju kanë ndihmuar ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e mbetura?

Pas fitores bindëse me Bylisin, lojtarët kanë pushuar dy ditë sepse ngarkesa e javëve të fundit ka qenë e madhe. Gjithmonë kam menduar për gjendjen e tyre fizike, sepse nuk dua të rrezikoj askënd. Ndërprerja na ka ndihmuar që disa lojtarë të tejkalojnë problemet. Ne jemi stërvitur paralelisht në palestër dhe fushë. Grupi është i plotë dhe lojtarët kanë marrë ngarkesën e nevojshme për sfidën ndaj Turbinës.

Si është atmosfera dhe gjendja tek Apolonia para ndeshjes me Turbinën?

Është një transfertë delikate dhe përqendrimi ynë ka qenë maksimal. E kemi vlerësuar kundërshtarin, ndaj përgatitjet tona kanë qenë mjaft intensive. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, sidomos kur përballesh me ekipe që luftojnë për mbijetesë. Apolonia nuk del pa pikë nga Cërriku, sepse vetëm kështu konsolidojmë pozitën tonë në renditje.

Apolonia ka hasur vështirësi në transfertë, besoni te rezultati pozitiv ndaj Turbinës që ju pret në fushën e saj?

Jam i vetëdijshëm që Apolonia luan më mirë në shtëpi, pasi transfertat i vuajmë shumë. I kam porositur lojtarët të luajnë pa presion dhe frikë në transfertë. Askush s’prodhon lojë më shumë se ne, por shpërdorojmë. Ndryshe nga transfertat e mëparshme, në Cërrik pres një ekip konkret në sulm dhe besoj shumë te marrja e një rezultati pozitiv.

Sa shanse ka Apolonia për të marrë maksimumin në 6 javët e mbetura?

Jemi në fazën më të rëndësishme të kampionatit, ku një hap fals kushton shumë. Sfidat e mbetura i konsideroj si finale. Transferta e Cërrikut dhe ndeshja e radhës me Pogradecin në shtëpi janë tregues për arritjen e objektivit sezonal. E kemi vetë në dorë fazën “play off”, ndaj përqendrohemi vetëm te ndeshjet tona.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"