“Askush nuk lind me shirit”, Sota: Ju tregoj “çelësin” e suksesit të Kamaratës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 21:23

“Askush nuk lind me shirit”, Sota: Ju tregoj “çelësin” e suksesit të Kamaratës

Qendërmbrojtësi fierak, Eljon Sota, mbetet një nga shtyllat bazike të Apolonisë. Është i vetmi lojtar i padiskutueshëm si titullar nga të gjithë trajnerët e dy viteve të fundit tek Apolonia, që nga Mërgjyshi e me radhë: Kolela, Çoçlli, Borova e deri tek aktuali, Fabricio Kamarata.

Sota6

I synuar nga ekipe elitare edhe gjatë kësaj merkatoje dimërore, por Sota nuk ka dëshirë të flasë për këtë pjesë të kaluar, madje as ta artikulojnë si “ish-kapiteni”. “Jam lojtar i Apolonisë, ‘gradat’ dhe merkatoja shkojnë e vijnë!”, shprehet prerazi mbrojtësi bardhejeshil, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Sota, pas gjysmës së kampionatit, Apolonia në vend të tetë me 13 pikë. E kishit menduar këtë sasi pikësh dhe këtë pozicion në fillim?

Parashikimet gjithmonë janë subjektive dhe relative sepse lidhen me të ardhmen dhe jo gjithçka varet vetëm nga ne. Sigurisht që ne kemi pretenduar dhe dëshiruar më shumë pikë dhe pozicione më të larta në renditje, por fakti është ky ku ndodhemi sot.

Duke analizuar kronologjinë e kampionatit, mendoj se duhet të kishim disa pikë më tepër, ndërsa për vendin në renditje, nuk di ç’të them sepse Kastrioti, që ndodhet para nesh, ka distancë të madhe.

A kanë ndikuar ndërrimet e trajnerëve në mungesën e rezultateve?

Është rregull i pashkruar në futboll që trajnerët e kanë të lidhur jetëgjatësinë e tyre me rezultatet e skuadrës që drejtojnë.

Apolonia është klub serioz dhe mendoj se drejtuesit e klubit kanë marrë vendimet e duhura në kohën e duhur. Në lidhje me trajnerët, nuk gjykoj dot unë. Sa për rezultatet, edhe pse skuadra ka respektuar dhe është munduar të japë maksimumin me çdo trajner, normale që ndryshimi i tyre do të kishte ndikim edhe në ecurinë dhe sasinë e pikëve.

Pas Kolelës, një tjetër italian, Kamarata. Çfarë ndryshimesh kanë?

Ne e kemi respektuar trajnerin Kolela për punën dhe përkushtimin e tij, por mendoj se profesor Kamarata është më fleksibël dhe i duhuri për Apoloninë. Trajneri aktual ka injektuar frymën e duhur në skuadër, ka punuar fort në aspektin psikologjik dhe e ka çliruar grupin nga faktori i inferioritetit. Edhe në aspektin tekniko-taktik, trajneri Kamarata ka dëshmuar një performancë shumë efikase.

eljon-sota

Le të trajtojmë pak humbjen e fundit me Teutën. Si e analizon Sota?

Kemi pësuar humbje me një skuadër të fortë, por ne kemi luajtur si të barabartë me Teutën dhe ndeshja u përcaktua nga vetëm një gol aksidental. Me lojën që zhvilluam, meritonim të paktën barazimin, sikurse edhe me Tiranën. Kemi lënë pikë të pamerituara.

Ndalemi te Sota. Ish-kapiten i Apolonisë, i synuar nga ekipe elitare edhe në janar, vazhduat në Fier, pa folur kurrë për situatat tuaja…

Mua nuk më pëlqejnë emërtesat me ish dhe as zhurmat e merkatove të kaluara, verore a dimërore qofshin. Unë kam heshtur sepse ndjek me qetësi çdo zhvillim, nuk jam “fluturak”, nuk reagoj për efekt mediatik, por e bëj në fushë me lojën time.

Çështja e kapitenit është e ezauruar dhe unë e ri-them për të disatën herë që respektoj vendimin e klubit. Është hera e fundit që merrem me këtë gjë, askush nuk ka lindur me shirit kapiteni në krah! Sa u përket kërkesave nga ekipe të tjera, mendoj se kjo është normale për ne futbollistët në kohë merkatoje, por unë jam lojtar i Apolonisë, jam tërësisht i përqendruar te skuadra ime dhe çdo “provokim” tjetër është i mbyllur dhe nuk ka vend për t’u rikthyer në pyetësorët e intervistave ndaj meje.

ERJON SOTA

E.Sota-Agiare-Diop, sa po funksionon “trio” e qendrës tek Apolonia?

Deri tani ka funksionuar më së miri, mendoj unë. Ardhja e Diopit ka sjellë përmirësim dhe ka rritur sigurinë në prapavijë. Ai ka përvojë dhe vjen nga një eksperiencë në kampionatin italian, vend që mund të quhet shkolla e mbrojtjes. Kemi dy ndeshje që luajmë bashkë, por e vlerësoj pozitiv bashkëpunimin, pavarësisht humbjeve minimale me Tiranën dhe Teutën.

Ndeshja e radhës përballë Vllaznisë kryesuese. Çfarë parashikon Sota?

Vllaznia është ekipi më i mirë dhe skuadra me futbollin më të bukur në Shqipëri, ke qejf ta shohësh. Ata vijnë pas mungesës së fitores në 3 javët e fundit, por prapë me goxha diferencë pikësh ndaj vendit të dytë. Ne kemi vlerësimin më maksimal ndaj shkodranëve dhe objektivi ynë është që të bëjmë më të mirën në fushë ndaj tyre dhe të mos dalim pa pikë. Të tjerat, le t’ia lëmë fushës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"