Askush nuk interesohet për Elbasanin, shpëtimi shihet vetëm nga… ish-presidenti Laze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2018 | 23:26

Askush nuk interesohet për Elbasanin, shpëtimi shihet vetëm nga… ish-presidenti Laze

Elbasani nuk po lëviz ende për sa u përket përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, ndonëse koha nuk po punon në favor të tyre. Edhe pse rivalët e tyre në Kategorinë e Parë kanë nisur grumbullimin, merkaton, por edhe sfidat miqësore, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për verdheblutë, të cilët aktualisht po qëndrojnë në “ajër”. Situata është shumë shqetësuese, për aq kohë sa nuk i dihet së ardhmes dhe shpresat duket sikur kanë mbetur vetëm tek ish-presidenti Arben Laze.

laze

Duke parë braktisjen e plotë të bashkisë dhe të anglezëve që blenë aksionet, i vetmi që mund të ringrejë klubin është pikërisht Laze. Me verdheblutë po përsëritet e njëjta situatë si ajo e sezonit të kaluar në Kategorinë e Dytë, ku askush nuk interesohej më për skuadrën, përveç Lazes që u interesua për problemet e klubit. E njëjta gjë duket edhe tani, por vështirësitë në Kategorinë e Parë janë shumë më të mëdha sesa në të Dytën dhe vështirë që Elbasani të bëhet pretendent në kushtet aktuale. Megjithatë, për aq kohë sa do të ekzistojë klubi i futbollit të Elbasanit, do të ketë edhe shpresë për ta parë skuadrën në të tjera nivele.

SKUADRA – Menjëherë pas përfundimit të kampionatit, lojtarët dhe pjesëtarët e stafit nisën pushimet. Për momentin nuk ka asnjë lajmërim se kur do të grumbullohet ekipi për të nisur fazën përgatitore. Duket se fillimisht, drejtuesit duhet të zgjedhin trajnerin e ri që do të drejtojë skuadrën në kampionatin e ardhshëm. Në listë janë disa kandidatura, duke nisur nga Nevil Dede, Eriol Merxha apo Ilirjan File, por që deri tani nuk është vendosur asgjë.

Pritet që në ditët në vazhdim të merret një vendim në lidhje me këtë çështje dhe më pas të nisë puna për ndërtimin e skuadrës që do të garojë në kampionatin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, një pjesë e mirë e titullarëve të sezonit të kaluar kanë konfirmuar se do të qëndrojnë sërish me ekipin edhe në Kategorinë e Parë. Megjithatë, gjërat do të konkretizohen vetëm kur të emërohet trajneri i ri dhe të nisë nga puna për të ndërtuar grupin e lojtarëve. Për momentin, gjithçka është në kuadër të diskutimeve.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"