Ashensori Lushnja, ngjitja në elitë më pranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 22:25

Ashensori Lushnja, ngjitja në elitë më pranë

Lushnjarët, nën një atmosferë pozitive, po vijojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës me Pogradecin, që do të luhet të shtunën, në orën 13:00, në stadiumin “Roza Haxhiu”.

lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla i ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura në shtëpi. Janë 3 ndeshje dhe 3 fitore. Për ndeshjen e së shtunës Lushnja ka dy mungesa të rëndësishme, qendërmbrojtësin Beqir Ibrahimllari, i cili është i skualifikuar me katër kartonë të verdhë, si dhe sulmuesin Fatjon Sefa që vazhdon të vuajë ende dëmtimin e pësuar para dy javësh në fushën e Devollit.

NJË VIT MË PARË – Lushnja ka një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Rezultatet e sezonit aktual janë shumë më bindëse dhe gjithçka është në përputhje me objektivin. Skuadra verdhejeshile ka grumbulluar 15 pikë në 6 ndeshje aktualisht, plot 8 pikë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një diferencë e konsiderueshme.

Skuadra e Gjylës kryeson bindshëm Grupin B të Kategorisë së Parë, ndërkohë që një vit më parë ndodhej në vend të shtatë. Lushnja është shndërruar nga një skuadër barazimesh, në një skuadër fitoresh si dhe në një “makineri” golash. Nga 4 gola në 6 javët e para të kampionatit të shkuar, ka shënuar 14 gola për të njëjtën periudhë. Vetëm Canka ka shënuar 8 gola, dyfishin e gjithë skuadrës së vjetshme.

HAREMI – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, portieri Oltjan Haremi u shpreh: “Në shtëpinë tonë nuk do të falim askënd. Para publikut lushnjar ekipi jep gjithçka dhe mendon vetëm për fitoren. Jemi të bindur se me Pogradecin do të bëjmë një ndeshje të mirë, duke e respektuar kundërshtarin.

Kemi besim te fitorja dhe tri pikët janë detyrim për Lushnjën”. Portieri lushnjar po kalon një moment shumë të mirë. Ai nuk ka pësuar gol në dy ndeshjet e fundit, duke dhënë garanci për skuadrën në prapavijë, bashkë me mbrojtësit. Ndaj Elbasanit Haremi priti një penallti.

ALBAN ALUSHI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"