“Asani nuk mund të lihet në stol”, Lame: Partizani mezi shënon, klubi bëri mirë që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 21:14

“Asani nuk mund të lihet në stol”, Lame: Partizani mezi shënon, klubi bëri mirë që…

Ilir Lame është i habitur që një lojtar si Jasir Asani qëndron në stol te Partizani. Ish-futbollisti që ka bërë historinë me “demat”, në një bisedë për “Panorama Sport” analizon 11 javët e para të kampionatit, ndërsa kishte parashikuar se të kuqtë do të ishin kryesues pas fazës së parë.

Ilir Lame2

Ai mbështet vendimin e klubit për t’i dhënë besim trajnerit Franko Lerda edhe pas përplasjeve të vazhdueshme që italiani ka pasur në këtë periudhë me pjesëtarë të stafit dhe disa lojtarë.

Zoti Lame, keni thënë se Partizani i Lerdës do të shikohet pas javës së shtatë. Tashmë që janë luajtur 11 ndeshje, jeni i bindur për skuadrën?

Po, natyrisht. Ka dalë profecia ime, sepse afro dy muaj më parë, kur u prononcova për situatën te Partizani, kam deklaruar se ekipi i vërtetë do të shikohet kur të vijë fundi i fazës së parë. Tashmë Partizani është kryesues dhe mendoj se e ka treguar forcën.

Ka diçka që nuk ju pëlqen në mënyrën se si luan skuadra?

Ajo që më shqetëson është fakti se sërish Partizani ka vështirësi në gjetjen e golit. Mezi shënon, sepse nuk ka një sulmues race. Ky është defekti kryesor për momentin, pastaj edhe në mbrojtje ka pasur oshilacione këtë periudhë. Mua më pëlqen skema 3-5-2, vetëm se ky variant kërkon lojtarë shumë të përgatitur nga ana atletike dhe fizike.

Në këtë periudhë situata në ekip ka qenë disi e tensionuar për shkak të përplasjeve që trajneri ka pasur qoftë me bashkëpunëtorët e tij, ashtu edhe me lojtarë si Asani apo Hakaj. Ju bën përshtypje?

Të jem i sinqertë, unë mund të flas vetëm për atë që kam lexuar në gazetë. Nuk jam brenda skuadrës që të di realisht të vërtetën, por që probleme do të ketë. Nuk mund të shkojë çdo gjë vaj në një ekip ku tashmë konkurrenca për një vend në formacion është e madhe. Pa diskutim që kjo situatë nuk është pa gjë, por nuk besoj se ka brenda Partizanit probleme madhore. Vërtet mund të ketë lojtarë të pakënaqur për aktivizimin, por kjo nuk besoj se cenon skuadrën. Pastaj, ekipi ka një trajner dhe ai e di më mirë gjendjen e lojtarëve. Duke i parë çdo ditë në stërvitje, normalisht bën zgjedhjet më të mira që ai mendon.

Klubi i ka besuar Lerdës, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme që ka pasur…

Klubi ka bërë mirë, sepse përderisa i ka besuar, edhe trajneri mund të them se ia ka shpërblyer. Në fund të fundit, Partizani është në vend të parë dhe drejtuesit janë treguar të duruar, sepse i dinë më mirë gjërat.

Ilir Lame Partizani

Trajneri ka disa ndeshje që e nis me Asanin në stol. Ju befason kjo zgjedhje?

Më duket pak e çuditshme që nuk është Asani në formacion. Bëhet fjalë për një lojtar që ka treguar vlera të mëdha, madje edhe në këto ndeshjet e fundit që është futur si zëvendësues. Për mua, Asani ishte në sezonin e kaluar lojtari kryesor për fitimin e titullit kampion. Më habit kjo zgjedhje, pasi ai duhet të jetë patjetër titullar.

Partizani afroi në merkaton e verës tre qendërsulmues, por sërish protagonistë janë lojtarët e sezonit të shkuar, si Çinari, Asani, Mala dhe Bardhi. Si e shpjegoni?

Me sa duket, Partizani nuk ka “shkrepur” me sulmuesit. Ka pritshmëri të mëdha për Solomonin, por herë kartonët e kuq dhe tashmë dëmtimet sikur e kanë zbehur. Duhet ta zgjidhin problemin e sulmuesit.

Cili është lojtari që ju pëlqen shumë për rolin që ka në skuadër?

Mua më pëlqen shumë Belica, një mbrojtës i fuqishëm dhe shumë i mirë.

Lame Partizani

Si e shikoni vazhdimësinë dhe për më tepër garën për titull?

Unë mendoj se me dy fitore të tjera ndaj Flamurtarit dhe më pas me Laçin, besoj se Partizani do të krijojë një shkëputje në krye. Megjithatë, për mua nuk janë keq Kukësi dhe Tirana. I kam ndjekur dhe më duken ekipe të forta. Besoj se bashkë me Partizanin do të rivalizojnë deri në fund për titullin kampion. Në fundin e fazës së dytë do të duket më qartë nëse do të ketë apo jo diferenca.

Të dielën Partizani luan në Vlorë. Çfarë prisni?

Besoj se do të jetë formalitet. Flamurtari më duket i dobët, qoftë moralisht, ashtu edhe në përgatitje. Nuk besoj se Partizani do të bëjë ndonjë surprizë duke lënë pikë në Vlorë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"