Asani bashkohet me grupin, Lerda në pritje të 5 futbollistëve të grumbulluar me kombëtaret. Ja plani ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 14:07

Asani bashkohet me grupin, Lerda në pritje të 5 futbollistëve të grumbulluar me kombëtaret. Ja plani ndaj Vllaznisë

Rifillimi i punës për transfertën e Shkodrës, takim i cili do të luhet të shtunën në orën 17:00 në “Loro Boriçi”, ka kthyer përgatitjet e izoluara në kampin e kuq. Pas incidentit që ndodhi në stërvitje mes trajnerit Lerda dhe mbrojtësit Esin Hakaj, në dy seancat e fundit të zhvilluara në kompleksin “Pepa” në Elbasan, zyrtarët e klubit kanë krijuar një zonë të ndaluar, kryesisht për mediat.

Asani Partizani

Para fillimit të përgatitjeve perimetri i jashtëm i fushës stërvitore rrethohet me shirita, në mënyrë që të krijohet një distancë e mjaftueshme për të vështirësuar shikimin dhe dëgjimin e asaj që ndodh gjatë seancës. Në dallim nga fundjava e shkuar, seanca e djeshme ka qenë më pozitive për stafin teknik, pasi grupit i është bashkuar në stërvitje edhe Jasir Asani.

Sulmuesi nga Shkupi duket se e ka kaluar shqetësimin që pati në ditët e fundit, kështu që shikohet gati për transfertën e Shkodrës. Gjithsesi, edhe dje trajneri Lerda nuk e ka pasur të plotë grupin, pasi mungojnë futbollistët e grumbulluar me kombëtaret. Sot pritet që rikthehen katër kuqezinjtë, Alban Hoxha, Lorenc Trashi, Livjo Malaj dhe Esat Mala, ndërsa Brajan Braun pritet të kthehet pas dy ditësh.

Formacioni- Ndryshimet në formacion për Vllazninë në krahasim me sfidën e fundit me Teutën janë të pashmangshme nga trajneri Lerda. Aristoteles Romero është i pezulluar për këtë takim, për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Teutës. Gjatë këtyre ditëve trajneri italian i të kuqve ka qenë i kushtëzuar në punën e tij nga mungesat, kështu që nuk ka pasur mundësi të praktikojë ndonjë formacion të mundshëm.

franko lerda

Duke ditur që sot grupi do të jetë më i plotë, pritet të projektohet dhe njëmbëdhjetëshja anti-Vllaznia. Ndaj Teutës u luajt me katër mbrojtës, ndaj dilema për t’u zgjidhur mbetet se në Shkodër do të luhet me 3 apo me katër mbrojtës, pasi në funksion të saj varen edhe disa lojtarë të tjerë. Nëse luhet me modulin 4-3-3, i bie që Esat Mala të luajë si mbrojtës i djathtë, në të kundërt, 20-vjeçari do të avancojë në ndihmë të sulmit.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"