As Valverde, as Setien, kriza e Barcelonës ndodhet te zyrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 11:52

As Valverde, as Setien, kriza e Barcelonës ndodhet te zyrat

Përtej ecurisë së skuadrës së parë që vazhdon të “ndihet” edhe pse ndryshoi trajnerin, realiteti është që te Barcelona ka një krizë më të madhe se kaq. Situata me të cilën po përballet Kike Setien ka origjinën në mungesën e politikës sportive dhe vazhdimësinë e asaj që kishte nisur Ernesto Valverde. 

Valverde5

Problemi i Barcelonës aktuale është përtej trajnerëve që ulen në pankinën e stadiumit “Camp Nou”. Një situatë që trajneri Kike Setien nuk do ta zgjidhë, sepse nuk ka gjë në dorë. Nuk varet aspak nga ai. Bëhet fjalë për planifikimin e skuadrës, merkaton, projektin dhe menaxhimin e saj.

Largimet e Karles Perez, Todibosë dhe disa futbollistëve të tjerë nga ekipi i të rinjve tregojnë që duhet urgjentisht një ndryshim tek ata që bëjnë planifikimin e skuadrës. Zëvendësimi i trajnerëve është thjesht një veprim për të mbuluar gabimet e shumta që bëhen nga zyrat e “Camp Nou”-t.

Shumë shpenzime- Që nga fitorja e Tripletës në vitin 2015, Barcelona ka shpenzuar afro 1 miliard euro për 24 blerje dhe nga këto transferime vetëm 10 vazhdojnë të jenë ende në skuadër, mes tyre De Jong, Grizman dhe Lengle. Këta të fundit kanë luajtur më shumë se 70% të ndeshjeve në këtë sezon. Pjesa tjetër janë Umtiti, Dembele, Semedo, Artur, Arturo Vidal, Neto, Xhunior Firpo. Ata nuk ia kanë dalë që të jenë titullarë. Në anën tjetër, lista e lojtarëve që janë larguar në këto 5 vite: Arda Turan, Aleiks Vidal, Andre Gomesh, Alkaser, Silesen, Denis Suarez, Kutinjo, Paulinjo, Xheri Mina, Malkom, Todibo, Murijo, Boateng. Kjo rrugë e gabuar shpjegohet me emrat e shumë të drejtorëve që kanë ndryshuar. Presidenti Jozef Maria Bartomeu nuk ka krijuar dot një projekt.

barcelona

Erdhi me drejtor Zubizaretën, i cili qëndroi vetëm një vit dhe pas krizës që përfshiu skuadrën u largua. Gjatë viteve të Rosellit, Zubizareta kishte marrëdhënie edhe me Bartomeun. Pas zgjedhjeve presidenciale, ky i fundit i besoi Robert Fernandezit, i cili gjithashtu nuk arriti të mbante presionin e një klubi të madh si Barcelona dhe u zëvendësua nga Pep Segura. Vetëm një vit zgjati edhe qëndrimi i tij te katalanasit dhe funksionet drejtuese në aspektin sportiv i kanë Erik Abidal dhe Ramon Planes. Kjo mënyrë e të bërit të gjërave e ka çuar klubin në këtë pikë ku ndodhet. Njëri blen Alkaserin dhe tjetri e shet…

Ky është një shembull. Njëri rinovon me të riun Markez, ndërsa një tjetër e çon te Juventusi për të marrë Mateus Pererën, ndërkohë që Rei Manaj transferohet nga Albasete për të luajtur në ekipin e moshave. Askush nuk po merr përgjegjësitë e blerjeve si Todibo dhe Vag, apo largimin e Alenjës. Gjërat nuk janë më mirë edhe në raportin që krijoi Viktor Valdes me drejtuesit kur ishte trajner i të rinjve. Ai u shkarkua nga Klajvert, pa asnjë arsye. Situatën nuk e ka në dorë as Valverde, as Setien. Kriza e Barcelonës është më e thellë se kaq.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"