As Barcelona dhe askush tjetër, sulmin atomik e ka Juventusi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 11:18

As Barcelona dhe askush tjetër, sulmin atomik e ka Juventusi

Champions-i i vërtetë nis pas fazës së grupeve, sepse nga 1/ 8-at e në vazhdim nuk ka më kohë për të gabuar, teksa luhet me eliminim direkt. Vërtet në letër favoritët mund të jenë të tjerë, si kampionët në fuqi të Liverpulit apo edhe Barcelona e Mesit, Suarezit dhe Grizmanit. Këtu nuk mbeten pa dyshim prapa edhe Mançester Siti i “maestros” Pep Guardiola apo edhe tanku “Bajern Mynih”, i cili mund të ketë ngecur në Bundesligë, por në Ligën e Kampioneve ishte i vetmi që e mbylli me 18 pikë të plota grupin.Bayer Leverkusen v Juventus: Group D - UEFA Champions League

Sigurisht që mes 8 skuadrave favorite janë edhe Juventusi, PSG-ja, rekordmenët e Realit të Madridi që edhe pse nuk janë aq të frikshëm pa Ronaldon, mbeten të rrezikshëm, por, pse jo, edhe Totenhemi i atij Zhoze Murinjos, që siç e theksoi, më saktë e rikujtoi në prezantimin e tij, “nuk e di se çfarë do të thotë të humbësh një finale të Ligës së Kampioneve”, duke qenë se në dy raste e ka fituar dy herë (një me Porton në 2003-shin dhe tjetrën me Interin në 2010-ën). Prandaj, pyetja që ngrihet natyrshëm është shumë e lehtë, por e vështirë për t’i dhënë përgjigje: Çfarë nevojitet për të fituar në arenën më të rëndësishme të futbollit në kontinentin e vjetër? Përgjigjet janë të ndryshme: Dikush këmbëngul te grupi cilësor i lojtarëve; por dikush tjetër mendon se edhe pa pak fat nuk mjafton cilësia. Ka të tjerë që besojnë se taktika e ashpër dhe studimi në detaje i kundërshtarit, edhe pse fundja perfeksioni në futboll nuk ekziston.

Prandaj, përgjigjja më e drejtë kundrejt pyetjes se çfarë duhet për të arritur te trofeu, duke lënë mënjanë të gjitha idetë teorike është: Të shënosh një gol më shumë se kundërshtari dhe fitoren e ke të garantuar gjithmonë. Por, edhe në këtë rast ngrihet një tjetër pyetje: Çfarë duhet për të shënuar më shumë se kundërshtari? Dhe në këtë rast përgjigjja është shumë e thjeshtë: Sulmues me eksperiencë dhe mbi të gjitha disa “vrasës të akullt” që të mos kenë mëshirë përballë askujt. Edhe një pyetje të fundit dhe mjafton: Po ku duket dallon një “vrasës i akullt” nga një tjetër që mund të stepët? Sigurisht te shifrat, te statistikat ndër vite dhe nëse ecim në këtë prizëm, edhe pse favoritet më të rëndësishme në letër duken të tjera, duke iu mbajtur numrave, skuadra më e frikshme, ajo që do t’i mjaftonte te trofeu i Champions-it duke shënuar një gol më shumë sesa kundërshtarët e saj është… Juventusijuventus

Juvja kundër të gjithëve

Pikërisht kështu… Sepse duke menduar vetëm për trion kryesore në dispozicion të trajnerit Mauricio Sarri: Paulo Dibala, Gonzalo Higuain dhe Kristiano Ronaldo numërojnë së bashku, vetëm në Champions, në arenën ku do t’i duhet të luftojnë nga shkurti e deri më 30 maj, 165 gola në total. Por me të drejtë dikush mund të thotë: Çfarë ka më shumë Juvja sivjet sesa një sezon më parë, kur e pa veten të dënohej keqazi nga një skuadër vogëlushësh si Ajaksi, që në çerekfinale? Epo vërtet vjet kishte Ronaldon dhe Dibalën në hije, një Duglas Kosta që më shumë qëndroi jashtë sesa në fushë, por edhe një Mario Manxukiç që vërtet vjet shkëlqeu po sivjet ka humbur gjurmët.

Përgjigjja edhe në këtë rast është e thjeshtë, edhe pse është dopio: Ka rikthyer Gonzalo Higuainin, një vrasës të rigjetur pas eksperiencave demoralizuese mes Milanit dhe Çelsit, jashtë Ligës së Kampioneve, por edhe një Paulo Dibala në formën më të mirë të mundshme. Por e pamundur është të harrohet Kristiano Ronanaldo, rekordmeni i golave në Europë, me 128 pas atij me Leverkusenit, ndërsa “Pipita” dhe “Paulinjo” garantojnë respektivisht 25 dhe 14 gola në këtë turne, për një total prej 165 golash. Dhe për njerëz të tillë, aq më shumë me formën që ata po shfaqin sivjet, duket e thjeshtë që të shënojnë një gol më shumë se kundërshtari, për të provuar që të arrin te trofeu i Champions-it.Barcelona

Barça dhe të tjerët…

Po kush mund t’i rivalizojë italianët, të paktën duke u mbështetur te numrat? Kampionët në fuqi të Liverpulit jo njëherë… Edhe pse janë mbajtësit e fronit, Mane, Firmino, Salah, por duke i shtuar edhe Origin, nuk shkojnë së bashku më shumë se 55 gola. Të vetmit që mund t’i afrohen Ronaldos me shokë është rivali i tij i përjetshëm, Lionel Mesi, i cili i mbështetur nga Suarez dhe Grizman, së bashku ofrojnë një potencial prej 160 golash në Champions, ndonëse sërish nuk realizojnë sa trioja juventine.

Po tjetër? Bajerni i Mynihut gjithashtu tremb me Levandovskin e 63 realizimeve në Champions, por i mbështetur njëkohësisht edhe nga 44 golat e Mylerit, por edhe nga Koman, Gnabri e Kutinjo garantojnë 126 gola. Po tjetër? I frikshëm duket edhe sulmi i PSG-së… Ikardi, Nejmar, Mbape e Kavani garantojnë 100 gola së bashku, por vështirë se do të jetë e mundur që t’i shohim që të katërt në fushë njëkohësisht. real madrid

Po Reali? Pas largimit të Ronaldos mbahet mbi shpatulla nga një lojtar i vetëm, Karim Benzema me 64 gola, por ata që e mbështesin si Bejli e Hazardi, jo vetëm që nuk janë në formë, por duken jashtë orbite. I vetmi që ka rritur disi shpresën në Madrid është talenti Rodrigo, i cili ka gjetur 4 gola në fazën e grupeve, por nuk dihet nëse mjafton…

Po skuadrat e tjera? Dy anglezët, me Sitin dhe Totenhemin që kanë vërtet lojtarë me emër si Aguero, Sterling apo edhe Kejn e Ali në anën tjetër, por ndoshta duke menduar te gjithë emrat dhe numrat e mësipërm, në bazë të shifrave që ofrojnë, duket e vështirë që të konkurrojnë për trofeun në finalen e Stambollit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"