Artur Hajdari: Lushnja e meriton buxhetin, Superiorja është e arritshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2020 | 23:52

Artur Hajdari: Lushnja e meriton buxhetin, Superiorja është e arritshme

Lushnja është një ndër skuadrat e pozicionuara në 4-shen e parë të klasifikimit të Grupit B në Kategorinë e Parë. Pretendimet e verdhejeshilëve synojnë qëndrimin në minigrupin e skuadrave, që do të vijojnë garën për Superiore.

artur hajdari

Ekipi lushnjar financohet nga bashkia e qytetit dhe drejtuesit e njësisë vendore janë shprehur të kënaqur me ecurinë e deritanishme të skuadrës. Kryetari i bordit mbikëqyrës të “KF Lushnja 1930” sh.a, Artur Hajdari, në një prononcim për “Panorama Sport” deklaron: “Bashkia e Lushnjës është treguar gjithnjë e ndjeshme ndaj futbollit duke i dhënë një mbështetje maksimale. Edhe për vitin e ardhshëm sapo janë miratuar 40 milionë lekë (të rinj). Jemi shumë të kënaqur me ecurinë që ka pasur ekipi në këtë kampionat.

Një paraqitje shumë e mirë dhe një rezultat sportiv i kënaqshëm. Jemi vetëm 3 pikë larg nga vendi i parë. Edhe pse në kushte pandemie, futbollistët, stafi kanë sakrifikuar duke dhënë më të mirën. Me djem të rinj, por me shumë dëshirë dhe me pasion jemi me meritë në vendin e tretë. Edhe pse në ditët e fundit të vitit, skuadra vijon të punojë për fazën e dytë të kampionatit. Kemi shumë besim se do të mbetemi në grupimin e 4 skuadrave të para, që do të vijojnë garën për Superiore”, u shpreh kryetari i bordit, Hajdari.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"