“Arsenali më largoi, e shijoj sa herë u shënoj”, sulmuesi i Totenhemit nuk përmbahet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2018 | 22:11

“Arsenali më largoi, e shijoj sa herë u shënoj”, sulmuesi i Totenhemit nuk përmbahet

Njeriu i dytë që i ka shënuar më shpejtë 100 golat në Premier Ligë pas Alan Shirerit, Herri Kejn, thotë se refuzimi që i ka bërë Arsenali kur ai ishte 8 vjeç është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur në jetë. Duke folur përpara derbit të Londrës Veriore në “Wembley” të shtunën, sulmuesi 24-vjeçar tha për “The Players’ Tribune”: “Më kujtohet hera e parë që luajtëm kundër Arsenalit (për akademinë e Totenhemit) dhe prej atëherë kisha një barrë për të hequr. Mund të tingëllojë qesharake.

kejn2

Isha vetëm tetë vjeç kur ata më lanë të largohesha, por sa herë kam luajtur kundër tyre kam menduar: ‘Dakord, tani do të shohim se kush kishte të drejtë dhe kush e kishte gabim’. Kur kthej kokën pas, largimi nga akademia e Arsenalit ishte ndoshta gjëja më e bukur që më ka ndodhur ndonjëherë, sepse më dha një motivim që nuk e kisha më parë”. Kejn, i cili ndaj Liverpulit shënoi golin e 100-të në Premier Ligë pas vetëm 141 ndeshjesh, thotë se objektivi i radhës është të arrijë në kuotën e 200 golave.

Ai e ka ndëshkuar 6 herë Arsenalin në po kaq ndeshje, duke përfshirë edhe dopietën që shënoi në debutimin kundër “topçinjve” në shkurt 2015: “Ishim në tunel dhe po mendoja. M’u deshën 12 vite, por tani do ta shohim kush kishte të drejtë dhe kush jo. Shënova dy gola atë ditë dhe atë që na dhuroi fitoren në 86′. Dhe ishte diçka që nuk e kisha ëndërruar kurrë përpara një ndeshjeje. Ishte një gol me kokë, ndoshta goli më i bukur që kam shënuar. Nuk ka pasur një gol që e kam shijuar më shumë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"