Arsenal-Liverpul, Granit Xhaka sfidon Xherdan Shaqirin. Priten gola me breshëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2018 | 16:41

Arsenal-Liverpul, Granit Xhaka sfidon Xherdan Shaqirin. Priten gola me breshëri

Arsenal-Liverpul… Java e 11-të e Pre mier Ligës do të sjellë në skenë një prej sfidave më spektakolare të viteve të fundit dhe jo vetëm në ishullin britanik, por të të gjithë kontinentit.

Arsenal v Liverpool- Emirates Stadium - London

Dueli që do të luhet sot në stadiumin “Emirates” premton gola me breshëri, të paktën kështu nënvizojnë statistikat, duke qenë se në tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit, ky duel ka ofruar një mesatare prej 3.5 golash për 90 minuta. Në të njëjtën kohë, ky është edhe dueli që do të ketë brenda tij më shumë gjak shqiptar në Premier Ligë, duke qenë se në 22 lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë, tre janë shqiptarë; dy në radhët e Arsenalit vendës, me Shkodran Mustafin (nënshtetësi gjermane) dhe Granit Xhakën (nënshtetësi zvicerane) si dhe me Xherdan Shaqirin (nënshtetësi zvicerane) për Liverpulin.

xhaka-shaqiri

Që të tre janë asete të rëndësishme të dy skuadrave që do të godasin topin e parë nga qendra në orën 18:30, por mbi të gjitha vëmendja do të jetë e fokusuar te Granit Xhaka, që në ndeshjen e fundit për “topçinjtë” realizoi një gol spektakolar, edhe pse skuadra e tij nuk arriti të fitojë, apo akoma më shumë te Xherdan Shaqiri, që është shndërruar në lojtarin multifunksional dhe të pazëvendësueshëm të skuadrës së Jurgen Klop, me asistet e tij.

Prandaj, ky duel do të jetë i gjithi për t’u shijuar në maksimum, pasi spektakli do të jetë i garantuar. Natyrisht që për Arsenalin ky duel do të ketë në mes edhe një tabu për të thyer, duke qenë se përballë Liverpulit nuk fiton prej gjashtë ndeshjesh (tre barazime dhe tri fitore për të kuqtë). Por, mshumë statistika mbi sfidën vijojnë më poshtë:

sdf6sdf

– Arsenal ka fituar 14 nga 16 ndeshjet e fundit në shtëpi.

– Liverpuli ka pësuar vetëm 2 gola në pjesët e para të këtij sezoni.

– Asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë më shumë se dy gola në 11 transfertat e fundit të Liverpulit në Premier Ligë.

– Arsenali ka fituar 11 nga 13 ndeshjet e fundit që ka luajtur.

– Arsenali ndizet me vonesë, duke qenë se jo vetëm nuk ka qenë kurrë në avantazh në pjesën e parë në kampionat, por në të njëjtën kohë vetëm 6 nga 24 golat e tyre kanë ardhur në 45 minutat e para

– Herën e fundit që Liverpuli ka grumbulluar 26 pikë në 10 ndeshjet e para (8 fitore, 2 barazime, starti më i mirë historik), ka qenë në sezonin 2008-2009, i përfunduar me një vend të dytë në renditje.

* Roberto Firmino ka shënuar pesë gola në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Arsenalit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"