Arritje e gjyqtarit shqiptar të basketbollit, Gilbert Hoxha pajiset me licencë ndërkombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 12:40

Arritje e gjyqtarit shqiptar të basketbollit, Gilbert Hoxha pajiset me licencë ndërkombëtare

Sakrifica disavjeçare, shtuar këtu edhe atë financiare disa milionëshe, është shpërblyer më në fund për gjyqtarin e perspektivës të basketbollit shqiptar, Gilbert Hoxha. Prej disa ditësh, Hoxha është pajisur zyrtarisht me licencën e gjyqtarit ndërkombëtar.

gilbert hoxha1

“E gjitha kjo ka filluar përpara tre viteve që me kampin e parë që kam qenë në Bosnjë Hercegovinë, më pas në Kosovë, në katër klinika në Bullgari së bashku me kolegun tjetër Marli Kasemi. Dhe duke qenë se sistemi ndryshoi, pas tre viteve angazhim erdhi më në fund ky finalizim. Për dijeni, kampi i fundit që kam ndjekur është zhvilluar në Kosovë përpara një viti e gjysmë.

Sepse specifika e kampeve është e tillë duke i ndarë me zona, Ballkani i zhvillon klinikat e veta brenda kësaj zone. Ti nuk mund të shkosh në një klinikë që është në Gjermani. Le të themi që kam pasur edhe mbështetjen e Federatës. Nga ana e tyre këtu në Shqipëri kam qenë mjaft i vlerësuar, i përzgjedhur në mjaft ndeshje të rëndësishme, në finale, Kupa.

gilbert hoxha

Dhe ky ka qenë një plus për mua që të rritesha profesionalisht. Pastaj nga aspekti financiar çdo gjë është mbuluar në mënyrë personale. Në fakt ka qenë një pasion ku nuk hiqja dot dorë. I hyra kësaj rruge dhe do t’i shkoja deri në fund”, u shpreh ndërkombëtari Hoxha për gazetën “Panorama Sport”.

Premiera e tij si ndërkombëtar pritet të jetë arbitrimi në “EuroCup” në muajin tetor. “E ardhmja do të ketë më përgjegjësi për mua. E bukura është që ti mendon se ke arritur maksimumin, por këtu sapo ka filluar. Dhe këtu fillon një tjetër etapë e re që kanë nevojë për shumë punë, shumë përgjegjësi. Turneu i parë zyrtar ku ne do të gjykojmë do të jenë ‘EuroCup’, meshkuj dhe vajza që nis në muajin tetor.

Shpresoj të jetë starti i parë, pastaj do të kemi edhe ndeshje në Ligën Ballkanike, më pas me angazhimin në turnetë e verës”. Bashkë me Hoxhën u certifikua së fundmi si gjyqtar ndërkombëtar edhe Marli Kasemi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"