Arritja e marrëveshjes së sponsorizimit me Vllazninë, biznesmeni Xhaferi takon menjëherë skuadrën. Ja çfarë i tha lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 22:50

Arritja e marrëveshjes së sponsorizimit me Vllazninë, biznesmeni Xhaferi takon menjëherë skuadrën. Ja çfarë i tha lojtarëve

Pak orë pas zyrtarizimit të marrëveshjes së sponzorizimit me Bashkinë e Shkodrës,  biznesmeni shkodran Alban Xhaferi nuk ka humbur kohë për të takuar skuadrën në stërvitjen e zhvilluar ditën e sotme në prag të sfidës ndaj Skënderbeut.

Alban Xhaferi

Ka qenë administratori Suad Lici, ai që e ka prezantuar para lojtarëve dhe stafit teknik, duke thënë se tani e tutje bashkë me z. Xhaferi do të bashkonin forcat për të bërë më të mirën për Vllazninë, raporton klubi nëpërmjet postimit në faqen zyrtare. Në prononcimin e tij të parë pas marrëveshjes  së arritur, Alban Xhaferi u shpreh:

“U thashë lojtarëve dhe stafit se kemi bashkuar forcat me Bashkinë për të rritur nivelin e futbollit në Shkodër. U bëra të ditur se arsyeja pse jam këtu është dashuria për fanellën kuqeblu sepse jam rritur me këtë dashuri dhe kam ambicie të mëdha për ta rritur këtë fanellë në majat më të larta të futbollit shqiptar.

Hyrja jonë në futboll do të ofrojë standarte të reja në shumë aspekte, kryesisht në pjesën e menaxhimit por edhe në rezultate dhe në elemente të tjera që kanë të bëjnë me këtë lojë.

U thashë se dëshira ime është të takoj gjithësecilin dhe për të folur më tepër, por në këto momente i këshillova që të fokusohen tek sporti dhe të mos ndalen tek ato që thonë të tjerët.

I kërkova që të mendojnë më tej, tek momenti i vështirë që po kalon Vllaznia dhe të gjithë së bashku ta kalojmë këtë moment në mënyrë që vitin tjetër të kemi plane shumë më ambicioze për ta çuar këtë skuadër në nivele më të larta. Kuptohet që këshilla ime ishte që të punojmë fort dhe bashkë edhe me ndihmën e Zotit, të arrijmë objektivin e duhur për të kaluar këtë fazë të keqe dhe pastaj të mendojmë për sezonin tjetër”, përfundoi ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"