Arrihet marrëveshja, Mile merr drejtimin e beratasve: Erdha për të ngjitur Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 18:40

Arrihet marrëveshja, Mile merr drejtimin e beratasve: Erdha për të ngjitur Tomorin

Shtyhet me 24 orë zyrtarizimi i Kristaq Miles. Për arsye procedurash është spostuar për sot prezantimi i trajnerit të ri. Pritej që tekniku i mirënjohur të merrte të hënën “frenat” e Tomorit, por situata ka ndryshuar rrugës. Ndaj, vetëm sot në orën 14:00 ai do të marrë drejtimin e beratasve. Përkundër hamendësimeve dhe dyshimeve që u krijuan për këtë shtyrje, ai ka marrë aprovimin e kryebashkiakut Ervin Demo.

Mile-ne-Erseke

“Panorama Sport” ka ndjekur gjatë gjithë ditës së martë të gjitha zhvillimet në lidhje me emërimin e tij dhe duhet thënë se drejtuesit janë zënë ngushtë prej faktit se lajmi i emërimit të Kristaq Miles ka “fluturuar” pa dijeninë e tyre që të hënën. Gjatë takimit që zyrtarët e klubit patën me kryetarin e Bashkisë Berat (gjatë mesditës së djeshme), ky i fundit ka kërkuar kohë para se të merrte një vendim.

Para se të jepte një përgjigje konkrete, numri një i bashkisë donte informacione më të detajuara për CV-në e 61-vjeçarit, por edhe një objektiv konkret për vazhdimësinë. Pasi ka dëgjuar me vëmendje propozimet e drejtuesve të klubit dhe shqyrtuar të dhënat që kishte mbi tavolinë, ka pranuar kandidaturën. Në orën 17:25 të ditës së djeshme ka kontaktuar personalisht me Milen dhe pas një bisede të shkurtër e ka zyrtarizuar atë si “timonierin” e ri të Tomorit. Pasi është mbyllur marrëveshja, gazeta ka kontaktuar ekskluzivisht me Kristaq Milen, i cili është shprehur i lumtur për këtë rikthim. Synimet i ka të qarta, ndërsa hapur e thotë se pretendon ta ngjisë ekipin në Kategorinë e Parë.

“Dua të falënderoj presidentin Ervin Demo, që njëherësh është edhe kryebashkiaku i qytetit, për besimin që më dha dhe vlerësimin që shfaqi për punën dhe eksperiencën time si trajner. Gjithashtu, një falënderim shkon edhe për klubin, që propozoi emrin tim.

Rikthehem pas dy sezoneve në krye të Tomorit me të njëjtën dëshirë dhe ambicie si më parë, për ta ngjitur skuadrën brenda këtij sezoni në Kategorinë e Parë dhe mbi të gjitha do të rikthej tifozërinë në stadium”, ka përfunduar Mile, i cili punën e tij si trajner i Tomorit e ka nisur në vitin 1993. Edhe në atë kohë ekipi ishte në Kategorinë e Dytë dhe në mbyllje të sezonit, beratasit u ngjitën në të Parën pas një ndeshjeje shtesë të fituar 4-2 ndaj Erzenit në kryeqytet.

Edi Spahiu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"