Arrihet akordi, ish-sulmuesi i Vardarit pranë firmës me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 18:00

Arrihet akordi, ish-sulmuesi i Vardarit pranë firmës me Tiranën

Ajo që “Panorama Sport” e ka njoftuar prej ditësh, tashmë është bërë konkrete. Lajmi për interesimin dhe kontaktet e Tiranës me ish-sulmuesin e Vardarit pritet të përfundojë me firmë. Klubi kryeqytetas mësohet të ketë arritur akord paraprak me lojtarin dhe, brenda kësaj jave, ai do të udhëtojë në vendin tonë për të nënshkruar me 24 herë kampionët e vendit.

Tirana Vardar

Bisedimet – Klubi kryeqytetas kishte nisur prej javësh kontaktet me këtë futbollist, i piketuar si një afrim i nevojshëm për repartin e avancuar. Dejan Blazhevski është një futbollist i lirë në treg dhe 32-vjeçari konsiderohet si një alternativë e vyer për repartin e avancuar.

Sulmuesi është një produkt i Vardarit, megjithatë futbollin si profesionist e ka nisur me Pelisterin, ku është aktivizuar për 57 ndeshje dhe shënoi 12 gola, më pas kaloi në Greqi ku luajti për Agrotikos Asteras (64 ndeshje, 8 gola), Verian (29 ndeshje, 2 gola) dhe Pierikos (34 ndeshje, 2 gola).

blazevski-dejan

Pas aventurës në tokën helene u kthye në Maqedoni në 2012-ën, ku për dy sezone u bë pjesë e Turnovos (50 ndeshje, 37 gola). Pas eksperiencës në Strumicë u zhvendos në Azerbajxhan, por atje qëndroi vetëm një vit. Që nga 2015-ta e deri më tani mbrojti për Vardarin. Sakaq, me kombëtaren maqedonase numëron 4 takime dhe 1 gol.

Akademia – Ndërkohë, klubi kryeqytetas ka nisur nga puna për akademinë e portierëve. Nën drejtimin e Emanuel Egbosë, kryeqytetasit kanë pritur dhjetë kandidatët e parë në mosha të vogla. Në ditët në vijim do të ketë të tjerë elementë që do t’i shtohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"