“Arratiset” Vora, ngjitja në Kategorinë e Parë më pranë / Trajneri Mërgjyshi: Fitore e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2023 | 13:00

“Arratiset” Vora, ngjitja në Kategorinë e Parë më pranë / Trajneri Mërgjyshi: Fitore e madhe

Vora fiton me përm bysje në Tropojë dhe “arratiset” në krye të renditjes, duke qenë tashmë 5 pikë më tepër se ndjekësi më i afërt, Veleçiku, pas 15 ndeshjesh në grupin A. Në një atmosferë krejtësisht festive dhe në praninë e rreth 2 mijë tifozëve është zhvilluar superndeshja Valbona-Vora. Para se të niste takimi, në stadium u organizua një koncert me këngë e valle nga grupi folklorik “Dardania”, ndërsa mbajti një fjalim edhe kryebashkiaku Rexh Byberi.

vora

NDESHJA Starti ishte i çmendur, me skuadrat që shënojnë dy herë pa kaluar ende katër minuta lojë. Valbona e nisi në mënyrën më të mirë, me Vilson Mziun, që shënoi një supergol pas goditjes nga 20 metra.

Por, menjëherë më pas, Vora vendos ekuilibrin, teksa i lirë brenda zonës është sulmuesi Artur Magani që barazon.

Në minutën e 16-të miqtë krijojnë një aksion të bukur nga krahu i djathtë dhe Raboshta në pozicion të vështirë, pason drejt Prengajt, që nuk fal përballë Haxhos. 1-2 dhe Vora është në festë, ndërsa vendësit nuk u besojnë syve që janë përmbysur kaq shpejt. Por, miqtë nuk mjaftohen me kaq, pasi Raboshta pengohet në zonë nga Sefgjinaj dhe gjyqtari Shahini akordon penallti.

Nga pika e 11-metërshit godet vetë sulmuesi dhe shënon golin e tretë, duke dërguar ekipet në pushim me shifrat 1-3. Në pjesën e dytë, tropojanët dominojnë lojën, por pa rezultat, pasi mbrojtja e Vorës dhe portieri Arbër Jata nuk lejojnë prekjen e rrjetës. Gjithçka mbyllet me fitoren e Vorës, që po marshon drejt Kategorisë së Parë.

123213

TRAJNERI Trajneri i Vorës, Artan Mërgjyshi, është parë shumë i lumtur pas ndeshjes në Tropojë, duke mos e fshehur kënaqësinë e fitores së rëndësishme ndaj rivalit direkt.

mergjyshi

Megjithatë, në prononcimin për “Panorama Sport”, Mërgjyshi theksoi se ekipi i tij nuk duhet të kalojë në eufori, pasi asgjë nuk ka mbaruar.

“Ishte një fitore e rëndësishme me një rival direkt. Këtë e kam thënë që në fillim, se do të jetë një kampionat mjaft i vështirë, sepse ka disa pretendentë. Me ngushtimin e ndeshjeve, edhe rivalët po pozicionohen. Kemi një diferencë prej 5 pikësh me Veleçikun e vendit të dytë, që duhet të menaxhojmë me kujdes në këto 5 ndeshjet e mbetura. Ne e kishim vlerësuar maksimalisht Valbonën dhe ia dolëm të fitonim. Dua të falënderoj ekipin mik për pritjen që na bënë, si kushtet optimale që kanë krijuar, qoftë për ambientin shumë sportiv, por edhe fushën shumë të mirë. U bë një lojë e bukur, ku fillimisht u goditëm nga një supergol, por rikuperuam shpejt, duke e përmbysur rezultatin. Kjo erdhi nga forca që kemi si skuadër, me lojtarë cilësorë”, deklaroi Mërgjyshi.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"