Arrabal ka besim te suksesi: Mundim Luftëtarin dhe ruajmë vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 12:34

Arrabal ka besim te suksesi: Mundim Luftëtarin dhe ruajmë vendin e dytë

Mesfushori i Kamzës, Bruno Arrabal, ka pohuar për “Panorama Sport” se fitorja që ekipi mori ndaj Teutës është vetëm një hap, pasi çdo javë kërkohet të hidhen hapa të tillë, ashtu sikurse kërkohet edhe ndaj Luftëtarit. Fitorja e Kamzës ndaj durrsakëve merr kuptim edhe më tepër pas humbjes së Kukësit dhe ndalesës së vlonjatëve duke i lënë kështu ata në vendin e dytë, një vend që as nuk e kishin menduar ndonjëherë për këtë sezon në Superiore.

arrabal racic

Diferenca mes kamzalinjve dhe korçarëve të vendit të parë është vetëm 8 pikë. Kamza është ekipi i vetëm që i ka marrë dy barazime Skënderbeut. “Skuadra ishte e destinuar vetëm për ta fituar ndeshjen ndaj Teutës në Durrës, ndaj ne bëmë detyrën që na takonte.

Gjatë kësaj ndeshje, skuadra nuk bëri gabime, madje ishte më e konsoliduar se kurrë. Pas barazimit në Kupë ndaj Teutës dhe paraqitjeve mjaft të mira të skuadrës sonë, tani të gjithë kanë më tepër besim dhe siguri në hapat që po hedhim. Ishim rreshtuar mjaft mirë në fushë dhe kjo ia vështirësoi së tepërmi gjërat kundërshtarit, i cili e pati shumë të pamundur të gjente hapësira”, pohoi mesfushori brazilian, një nga më të spikaturit e Kamzës në këtë sezon.

FITORE NDAJ LUFTËTARIT – Ashtu si dhe shokët e tjerë të skuadrës, Arrabal është i bindur se Kamza ka kualitetet e nevojshme dhe mundësitë për të synuar dhe fituar edhe në ndeshjen e radhës. Kamza e pret Luftëtarin në shtëpi dhe kjo duket se ua lehtëson edhe më shumë punën të besuarve të trajnerit Ramadan Ndreu.

Kamza5

Megjithatë, Arrabal shprehet se duhet të tregohen të kujdesshëm dhe jo euforikë. “E kemi nisur mjaft mirë fazën e dytë, duke mos humbur asnjë ndeshje. Kjo e bën skuadrën optimiste, por kurrsesi nuk duhet të kemi eufori. Tani duhet të shikojmë përpara dhe të mendojmë për të fituar ndeshjen e radhës.

Përpara kemi një kundërshtar si Luftëtari, i cili po përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme dhe është i etur për pikë, pasi po rrezikon rënien. Gjatë kësaj jave ne jemi përqendruar vetëm te kjo sfidë dhe do të bëjmë më të mirën për të fituar dhe për të ruajtur vendin e dytë”, përfundoi Bruno Arrabal.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"