“Arqile Gorea, një shpifës”, reagon trajnerja Koçi: Ai di vetëm të hedhë baltë mbi kontribuuesit e basketbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 0:46

“Arqile Gorea, një shpifës”, reagon trajnerja Koçi: Ai di vetëm të hedhë baltë mbi kontribuuesit e basketbollit

Mes akuzave të presidentit të Teutës, Arqile Gorea, ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit, përfundoi gjithashtu edhe gjyqtari dhe instruktori i FIBA-s, Ervin Koçi, i cili është bashkëshorti i trajneres së Partizanit, Ledina Koçi.

Ledina Koci

Pasi Gorea ishte shprehur se Partizani dhe skuadra e moshave Superior (akademi e drejtuar nga trajnerja Koçi) favorizohen nga arbitrat për shkak të pozicionit që ka Ervini në federatë, ka ardhur edhe reagimi i trajneres.

Me anë të një deklarate për “Panorama Sport”, Ledina Koçi i quan shpifje akuzat nga Gorea, për të cilin shprehet se po hedh baltë mbi skuadrat më kontribuuese të basketbollit në Shqipëri.

ledina KOCI

Ja deklarata e plotë e trajneres Koçi për gazetën:

“Pas disa herësh radhazi shpifjesh nga zoti Gorea, jam e detyruar t’i jap një përgjigje këtij zotërisë që hedh baltë mbi emrin e një familjeje të nderuar. Ai as në ëndërr nuk arrin dot t’i shohë sukseset dhe vlerat që ka në këtë sport mbiemri Koçi.

Zoti Gorea, unë jam Ledina Koçi, më shumë se me fat dhe e bekuar (ti nuk e di se ç’do të thotë fat dhe e bekuar se nuk e ke provuar dhe nuk ke për ta provuar ndonjëherë) që jam bashkëshortja e Ervin Koçit, një nga njerëzit që ka dhënë dhe vazhdon më ndershmëri dhe pasion të jap’ shumë në këtë sport, jo për rroga amerikanësh apo ku di unë se çfarë tjetër, sepse kaq kemi parë. Jam trajnere e licencuar jashtë, nga njerëz shumë larg nivelit tënd.

Kam fituar tituj dhe kupa që gjynah që ti i sheh vetëm në foto, fituese e Kupës së Shqipërisë vetëm me lojtare shqiptare. Akademia Superior Basket që përmend ky zotëria është një ndër kontribuueset më të mëdha të basketbollit për moshat në Federatën Shqiptare të Basketbollit.

Dil ti o burrë i kulluar dhe provo të ndërtosh një punë të tillë dhe pastaj të guxosh të fitosh. Njerëz si ju që vetëm villni vrer çdo mëngjes nga suksesi i të tjerëve quhen humbje e madhe e kohës. Të përshëndet familja Koçi, duke pritur shpifjet dhe ëndrrat e këqija të radhës që do të shohësh në vazhdim, pasi na ke bërë një reklamë të madhe. Suksesi më i madh arrihet kur secili merret me punën e tij”, shkruhet në deklaratën e trajneres së Partizanit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"