Aromë divorci, një tjetër klub i Premier Ligës i ofron Juventusit 120 milionë për De Ligt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 23:42

Aromë divorci, një tjetër klub i Premier Ligës i ofron Juventusit 120 milionë për De Ligt

Një futbollist me klauzolë për prishjen e kontratës nuk mund të quhet asnjëherë “i pashitshëm”, aq më tepër kur klubet angleze janë të interesuara për atë. Madje, janë të vetmit që nuk e kanë ndier aspak kaosin dhe deficitin ekonomik që solli COVID, ndaj për Juventusin, pas festës për arritjen e akordeve me Pogbanë dhe Di Marian, ka ardhur momenti që të dridhet.

DE LIGT

Gjërat kanë nisur të bëhen serioze në orët e fundit, pasi edhe pse bardhezinjtë janë të kapur fort te shifra 120 milionë euro që ka Matajs de Ligt për prishjen e kontratës së tij me “Zonjën e Vjetër”, këtë herë as ky numër nuk e mban më të qetë Juven. Arsyeja është se pasi pretenduan ndoshta edhe për të larguar përfundimisht Çelsin nga ideja për “Tulipanin” 22-vjeçar, duke refuzuar 100 milionë euro nga blutë, së fundmi është futur bindshëm në garë edhe Mançester Siti.

Dhe pikërisht këtu drithërimat rriten ndjeshëm, siç raporton “Gazzetta dello Sport”. Nëse Çelsi në 2-3 ditët e fundit kishte këmbëngulur te shifra 100 milionë, por kjo e ndarë në 70 kesh, plus vlerësimin 30 milionë të sulmuesit amerikan, Kristian Pulisiç, i cili i pëlqen shumë trajneri Alegri, emirët e kampionëve të Premier Ligës janë gati që të vazhdojnë të bëjnë çmendurira. Madje, burimi në fjalë saktëson se Pep Guardiola e dëshiron aq shumë De Ligtin për ta pasur nën urdhrat e tij, aq sa e ka ndjekur shpesh nga afër edhe në Itali, disa herë nga njerëzit e tij të besuar dhe disa herë të tjera vetëm, i kamufluar mes tifozëve si një sportdashës normal. Fundja, të gjithë e dinë mirë se në vitet e tij te Siti fiksimi, por njëkohësisht problemi i vetëm i Pep Guardiolës ka qenë blindimi i qendrës së mbrojtjes së skuadrës së tij. Dhe pasi investimi prej 70 milionë eurosh i Ruben Diashit dy vite më parë rezultoi një blerje e goditur, trajneri spanjoll mendon se De Ligt do të ishte shoku ideal i repartit për portugezin, për të ngritur kështu jo vetëm një digë gjigantësh, por edhe dy kampionësh shumë të rinj në rolin e tyre (Diash 25 dhe De Ligt 22 vjeç).

Pikërisht mosha, përveç cilësive të pamohueshme të holandezit, të paktën në Angli e bëjnë të sigurt se Mançester Siti është gati t’i paguajë Juventusit 120 milionë eurot e klauzolës. Problemi i vetëm për Guardiolën është frika se mos De Ligt ka ndonjë akord paraprak me Çelsin, duke parë këmbënguljen e bluve të Londrës, e cila do të prishte të gjitha planet. Shkurt, aroma e një divorci mes De Ligtit dhe Juves kutërbon dhe askush nuk ka dalë ta përgënjeshtrojë këtë gjë. Dhe tani në Torino ndihen disi të çakorduar, pasi frika më e madhe është që mospagesa e klauzolës mund të vijë në ditët e fundit të merkatos dhe klubi bardhezi të vuajë një tjetër traumë si ajo me Kristiano Ronaldon verën e kaluar, i cili tradhtoi “Zonjën e Vjetër” vetëm tri ditë përpara mbylljes së dritares së transferimeve.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"