“Armiku” Ikardi rilind Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2015 | 16:26

“Armiku” Ikardi rilind Interin

IkardiMegjithatë lëviz!”. Për një natë Roberto Mançini mund të përdorë shprehjen e Galileo Galileit, edhe pse ndryshe nga matematicieni, trajneri nuk rrezikon që të digjet në “turrën” e druve prej Inkuizitorëve, të cilët në rastin konkret mund të jenë tifozët zikaltër. Interi rikthehet te fitorja (për herë të fundit kishte mundur 3-1 Xhenoan më 11 janar) falë golave të Guarinit dhe Ikardit, të cilët finalizuan një ndeshje perfekte për Interin. Mançinin, përveç 15 pikëve (në 13 takime), e kënaq edhe paraqitja e Brozoviçit, i cili gjithmonë bën gjënë e duhur. E vetmja notë negative e mbrëmjes ishte amnezia e vendësve në mbrojtje dhe gabimet e arbitrit (përveç se ndëshkoi Medelin me të verdhë pas një faulli të kryer nga Ranokia, u mohoi dy penallti zikaltërve).
Formacioni – Mançini habiti me zgjedhjet e tij. Moduli i ri, 4-3-3 (herë-herë kthehej në 4- 3-1-2 me Shaqirin si fantazist), nuk kishte vend për Kovaçiçin dhe Podolskin, të cilët e ndoqën takimin nga pankina. Në mesfushë 50-vjeçari preferoi që të aktivizonte Medel, Brozoviç dhe Guarin. Ndërkohë që në vijën e sulmit hodhi nga a majta në të djathtë Palasion, Ikardin dhe Shaqirin.
Superiorë – Zikaltrit u treguan menjëherë agresivë, edhe pse pas goditjes me kokë të Zhuan Zhezuzit (7′) u ndalën mirë nga Palermo. Madje, në të 14′ Dibala ishte shumë pranë golit të avantazhit. Pas këtij episodi, vendësit reaguan duke gjetur golin e parë. Në të 16′, pas një korne të fituar prej Brozoviçit, Guarin ktheu në gol harkimin perfekt të Shaqirit. Pasi gjetën avantazhin, vendësit ulën ritmin dhe Palermo (kishte shënuar të paktën një gol në 13 takimet e fundit) përfitoi menjëherë me Rigonin dhe Dibalën, të cilët gabuan raste të pastra për të shënuar. Nga ana tjetër Shaqiri, me të drejtë, pretendoi një penallti pasi tentoi t’ia kalonte topin Daprelës, i cili e ndali sferën me dorë, por kryesori “fali” sicilianët.
Të pashpirt – Fraksioni i dytë nisi me një rast të artë shënimi për Palermon. Djemtë e Iakinit përfituan nga gafat e ‘ mëdha të mbrojtjes së Interit, duke krijuar shumë raste për gol në një aksion të vetëm. Në të 51-ën, Vaskez (në çastin e vetëm ku i shpëtoi markimit të Medelit) u paraqit para Handanoviçit, por nuk goditi vetë dhe e pasoi sferën te Bareto. Edhe ky i fundit u tregua altruist, pasi kërkoi Dibalën, por Handa bëri çmos duke e larguar topin. Në hyrje të zonës sfera i përfundoi sërish Vaskezit, i cili goditi shtyllën dhe i serviri një asist të artë Dibalës, i cili me portën bosh bëri të pamundurën dhe dërgoi topin mbi traversë. Aty ndeshja ndryshoi plotësisht pasi Interi u zgjua. Në të 57′ Ikardi, pas një harkimi të Guarinit, goditi bukur topin që u përplas në shtyllë. Dy minuta më vonë, pas një goditjeje këndi, Ranokia do t’i trondiste edhe traversën Sorrentinos. Golin që do të mbyllte takimin e shënoi Ikardi, i cili mposhti me të djathtë portierin e Palermos pas një asisti të Guarinit. “Aksi” i dy të kontestuarve një javë më parë në Emilia rezultoi vdekjeprurës për ekipin e Iakinit. Në të 88′ Guarin mori krahun dhe futi bukur topin në zonë për Ikardin, i cili me kokë shënoi golin e tretë të takimit dhe të 18-in sezonal. 21-vjeçari (autor i 10 golave në 12 takime në “San Siro) preferoi që t’i përgjigjej me gola të shoqëruar me heshtje. Në fund të takimit, burime pranë menaxherit të tij zbuluan se reagimi i Ikardit kishte lidhje me vonesat në rinovimin e kontratës me Interin. Kështu zikaltrit ndërprenë serinë e rezultateve negative duke mundur Palermon (i mungon suksesi në “San Siro” prej vitesh, për herë të fundit kanë mundur zikaltrit në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Italisë më 31 gusht të 1980) dhe tani është në kërkim të vazhdimë- sisë, më shumë në këtë aspekt do ta tregojë ndeshja e radhës, ajo me Atalantën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"