“Armik” që në start me Kukësin, Alla: Po shënova…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2018 | 19:04

“Armik” që në start me Kukësin, Alla: Po shënova…

Albi Alla do ta nisë aventurën e tij te Fl amurtari me debutim kundër ish-skuadrës së sezonit të shkuar, Kukësi, me të cilin luajti deri pak ditë më parë në Europë. I sapobërë pjesë e vlonjatëve, teksa dy ditë më parë firmosi kontratën, në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, Alla flet për gjithçka. Qendërmbrojtësin duket se e ka bindur cilësia që kanë vlonjatët në përbërje, ndërsa thotë se me Kukësin u nda miqësisht. Futbollisti shprehet se nuk do të ketë ndonjë ndjesi të veçantë në ndeshjen e së dielës kundër të shkuarës së tij.

albi alla 1

Alla, si ndiheni tashmë që jeni pjesë e Flamurtarit?

E vlerësoj në maksimum ardhjen në Vlorë, pasi Flamurtarin e dinë të gjithë që është një ekip i madh. Më bindi fakti që po shoh se nuk po bëhen lëvizje të mëdha, por lëvizje cilësore.

Cili u bë shkak që ju të vinit në Vlorë?

Takimi i parë është bërë mes menaxherit tim, Franci Bode, dhe drejtorit të Flamurtarit, Ardi Behari. Që këtu ka ardhur kontakti. Më bindi edhe ideja që kishin shumë kohë që më thoshin të vija në Vlorë dhe mendova që kjo gjë ishte serioze dhe nuk ishin thjesht fjalë. Me këta ishte takimi i parë. Nuk kisha ndonjë kontakt me trajnerin. E di që edhe Daja ka pasur dëshirë që unë të vija te Flamurtari, por nuk është se kisha ndonjë kontakt me të për këtë gjë.

Ju kanë folur drejtuesit për objektivat e Flamurtarit?

Flamurtari është një klub i madh në futbollin shqiptar. Patjetër që objektivat këtu janë të mëdha dhe besoj që t’i arrijmë. Në radhë të parë, ta mbyllim këtë vit me sukses. Suksesin e dinë të gjithë se s’është vetëm kampionati, por ka shumë suksese që mund të arrihen.

Personalisht, ku e shikoni Flamurtarin këtë sezon me grupin që ka?

Që të jem i sinqertë, e pashë ndeshjen me Teutën dhe Flamurtari më pëlqeu. Ekipi ka bazën të fortë dhe në vazhdim do të përmirësohet akoma më shumë sepse është fillimi. Pra, kjo skuadër duket se ka për të dhënë shumë dhe duket edhe dora e trajnerit Daja.

Çfarë i premtoni Flamurtarit për të ardhmen?

Do të jap maksimumin tim dhe do përpiqem që të bëj mirë.

Si u ndatë me Kukësin?

U ndava mirë, ashtu sikundër erdha në fillim. Nuk kishte për të ndarë diçka me Kukësin. Përfundoi kontrata ime dhe besoj se cikli im te Kukësi është mbyllur. Nuk kisha çfarë të jepja më shumë.

Si për koincidencë, Kukësi vjen në Vlorë të dielën. Debutimi juaj kundër ish-skuadrës, do të keni emocione?

Jo, nuk jam emocional si futbollist dhe si njeri. Për mua është ndeshja e radhës.

Jeni mbrojtës dhe qëllimi primar i juaj nuk janë golat. Por supozojmë nëse do shënonit në këtë ndeshje, do të festoni?

Kemi dy vjet e gjysmë që nuk kemi shënuar (qesh). Po erdhi moment që të shënojmë tani… patjetër që nuk do të festoj, pasi respektoj ekipin ku kam qenë.

Por ideja është të shënojë kush të dojë për të mirë të ekipit. Si e shikoni ndeshjen Flamurtari-Kukësi, cili fiton?

Këtë gjë le t’ia lëmë fushës.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"