Armando Cungu: Laçi më i fortë se vjet, ja çfarë pres nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 15:32

Armando Cungu: Laçi më i fortë se vjet, ja çfarë pres nga skuadra

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, beson se njëra prej katër ekipeve që morën pjesë në edicionin e fundit në Europë, do të fitojnë titullin kampion këtë sezon. Në një intervistë për emisionin “Sport News Plus” në televizionin “News 24”, shkodrani theksoi se kurbinasit duhet të kërkojnë më tepër nga vetja këtë sezon, nisur nga përforcimet e bëra në merkato.

cungu-lacii

“Nuk është kampionati lehtë. Vitet e fundit ka patur konkurrencë, pasi ka ekipe të mirorganizuara. Nuk mund të thuash 1-2 ekipe janë të shkëputura nga të tjerët. Janë 4-5 ekipe që janë pranë njëra-tjetrës”, ka thënë fillimisht Cungu, për të folur më pas lidhur me ndeshjen e Kupës ndaj Vorës, ku kurbinasit fituan 3-0 dhe kaluan në turin tjetër, aty ku do të gjejnë Egnatian e Kategorisë së Parë. “Ndeshjet e para të kupës nuk janë problematike. Rezultati ishte i pastër. Nuk luajtën lojtarët me gjendjen më të mirë. Iu dhamë mundësi lojtarëve të rinj dhe të ardhur në merkato. Kampionati është shumë i ngjeshur dhe duhet t’i japim mundësi gjithkujt në mënyrë që të jemi të freskët”, theksoi trajneri, i cili foli i bindur për forcën e skuadrës.

“Jemi më të fortë se vjet. Kemi më shumë alternativa. I përgjigjet konkurrencës dhe garës, kjo është një arsye plus për ekipin tonë duke parë dhe merkaton. Kam të drejtën e ligjshme së bashku me drejtuesit e lojtarët të shohim një Laç më të fortë se sezoni i kaluar. Vjet bëmë sezon shumë të mirë, e treguam edhe në Europë. Fakti që jemi forcuar, tregon se duhet të tentojmë diçka më tepër. Titulli nuk është i lehtë për ta kërkuar. Do të punojmë shumë. Mendoj se njëra prej ekipeve që ka qenë në Europë do të jetë fitues i titullit. Vjet kemi qenë ekip i cunguar, tani është ndryshe.

Lojtarët duhet të kërkojnë më shumë nga vetja. Jemi më të rritur në aspektin e lojës. Të marrim më shumë përgjegjësi sepse jemi më të pjekur në anën profesionale dhe të dimë të kërkojmë nga vetja jonë më shumë. Kemi arsye të kërkojmë diçka më tepër. S’jam shumë dakord që thonë se Laçi fiton vetëm në fushën e saj. Rezultatet na japin të drejtë, sepse kemi dalë mirë dhe në transferta. Fusha s’ka më peshë, pasi jemi pa tifozë. Mungesa e tifozëve na prish punë sepse sikur dhe 100 tifozë të jenë, karikimi është më i madh”, deklaroi shkodrani. Në fund ai bëri një koment edhe për ndeshjen e parë me Bylisin. “Normalisht që është ndeshje e vështirë. Bylisi ka një ekip agresiv, luftojnë dhe vrapojnë shumë. Duhet të marrim masat për t’u paraqitur sa më mirë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"