“Arma sekrete” Kieza: Goli ishte skemë e Pirlos, babait do t’i vidhja… gjuajtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2020 | 22:00

“Arma sekrete” Kieza: Goli ishte skemë e Pirlos, babait do t’i vidhja… gjuajtjen

Goli i parë me Juven tusin në Champions dhe dy asiste të ofruara për golin e 750-të të Kristiano Ronaldos, ashtu sikurse për të gjashtin në Europë të Alvaro Moratës, pas 5 ndeshjeve. Federiko Kieza, edhe pse mes shumë skepticizmave, ka treguar se e ka merituar të gjithë investimin prej gati 60 milionë eurosh (10 milionë për huazimin dyvjeçar, 40 milionë detyrim blerjeje, plus 10 milionë të tjera bonuse në pesë vitet e ardhshme).

federico-chiesa-juventus-1604069689-50289

Komplimentet për të birin e ish-sulmuesit të njohur italian, Enriko Kieza, kanë vërshuar nga të gjitha mediat, por edhe nga ish-figura të rëndësishme bardhezi, si Alesandro del Piero e Fabio Kapelo, ndonëse shumë i drejtpërdrejtë ishte edhe trajneri Andrea Pirlo:

“E njihja dëshirën e Kiezës për të shënuar dhe jam i lumtur për të. Tani që u zhbllokua, jam i sigurt se do të jetë edhe më i lirshëm, por njëkohësisht më efikas në fushë”.

Dhe ndoshta me të drejtë “Maestroja” beson te Kieza, ndonëse trajneri bardhezi duhet të korrigjojë diçka: për shumë takime, numri 22 bardhezi luajti në korsinë e majtë, por roli i tij është në të djathtë, ku siç ndodhi me Dinamon e Kievit, u pa qartësisht se Federiko ishte vdekjeprurës, ndonëse vetë Kieza është i bindur se mund të bëjë më shumë se kaq.

“Jam shumë i lumtur për golin tim të parë dhe për paraqitjen ndaj Dinamos së Kievit. Gjithsesi, nëse unë bëra mjaft gjëra pozitive, kjo erdhi edhe si rrjedhojë e të gjithë punës së mirë që bëri edhe e gjithë skuadra, – shprehet Federiko Kieza.

– Për ne ishte e rëndësishme që të jepnim një përgjigje të fortë pas atij barazimi të shëmtuar me Beneventon. Dedikim për golin? Goli im i parë është për të gjithë ata që më duan të mirën, për të dashurën time, familjen dhe miqtë e mi. Dhe dua t’iu zbuloj se goli im ishte një skemë e urdhëruar nga Pirlo dhe e provuar në stërvitje. Si ndihem me Moratën e Ronaldon? Kur luan me kampionë të tillë, është e thjeshtë të gjesh hapësira, t’i asistosh.

Federico-Chiesa

Alvaro e Kristiano bëjnë lëvizje të mëdha në fusha, janë dy superkampionë dhe mjafton që t’ua hedhësh topin në këmbë, pasi gjërat e tjera i sistemojnë vetë, – vazhdon Federiko, i cili lidhur me krahasimin që i bëjnë me babain e tij Enriko, nënvizon. – Mendoj se babait ia kam zili goditjen e tij. Në këtë aspekt ka qenë më potent dhe më i saktë se unë, ndonëse po punoj që të përmirësohem”.

FAMILJE “EUROPIANE” – Por, duke mbetur te familja, Federiko Kieza realizoi në Europë 20 vite e 256 ditë pas golit të fundit të babait të tij në kompeticionet UEFA (Fiorentina-Bordo në marsin e vitit 2000).

Kjo i fut Kiezat (babë e bir) mes 5 familjeve që kanë parë të realizojnë në Europë, pas Patrik e Xhastin Klajvertit; Lilian e Markus Turamit; Abedi e Xhordan/Andre Ajeu dhe Zlartko e Luka Zahoviç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"