Arlind Ajeti driblon Partizanin për Frozinonen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2015 | 22:48

Arlind Ajeti driblon Partizanin për Frozinonen

ajeti

Partizani prej ditësh kishte punuar që në merkaton e janarit të bënte një goditje të madhe duke afruar në ekip mbrojtësin e ekipit kombëtar, Arlind Ajeti, i cili është pa ekip. Të kuqtë kishin futur në lojë për të joshur mbrojtësin kuqezi edhe klubin italian të Veronës. Bisedimet mes palëve kanë nisur gjatë kohës që Ajeti ishte në Shqipëri për miqësoren me Gjeorgjinë. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit dhe zyrtari i klubit veronez, Leonardo Mantovani, kanë kryer bisedimet me mbrojtësin e Kombëtares, që në janar të vishej i kuq, si i huazuar nga Verona.

Por kjo tratativë ka dështuar, pasi Ajeti, me ndërmjetësimin e trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, ka zgjedhur të bëhet pjesë e italianëve të Serisë A, Frozinone. “Më vjen shumë keq, madje ndihem i dëshpëruar që nuk arritëm të finalizonim marrëveshjen me mbrojtësin e Kombëtares, Arlind Ajeti. Thuajse kishim arritur akordin dhe prisnim që në janar të bëhej pjesë e Partizanit, por tratativa ka dështuar. Mbrojtësi, me ndërmjetësimin e trajnerit të Kombëtares, ka vendosur të zgjedhë një klub italian, ku nesër (sot) pritet të konfirmohet edhe marrëveshja mes palëve”, u shpreh drejtori i të kuqve, Dervishi.

Konfirmimi nga Italia Frozinone pritet të jetë e ardhmja e Arlind Ajetit gjatë këtij sezoni, sipas asaj që raporton Alfredo Pedulla, gazetari i mirënjohur italian. Sipas tij, ishmbrojtësi i Bazelit është shumë pranë akordit me ekipin italian. Sipas lajmit të raportuar në sajtin e tij, specialisti italian i merkatos bën me dije se Ajeti është prej kohësh në radarët e ekipit të Serisë A dhe fakti që Frozinone është skuadra që për momentin plotëson treshen e ekipeve që bien në Serinë B, atëherë përforcimet janë më se të nevojshme. Ajeti është futbollist i lirë dhe skuadra italiane mund ta marrë menjëherë lojtarin dhe ta federojë për ta pasur të gatshëm. Ajeti ka qenë pjesë e kuqezinjve në ndeshjet kualifikuese për në “Francë 2016” dhe ka bërë ndeshje mjaft të mira, edhe kur përballë kanë qenë ekipe si Danimarka apo Portugalia e Kristiano Ronaldos. Megjithatë, në ndeshjet miqësore kundër Kosovës dhe Gjeorgjisë, në disa momente, siguria e Ajetit nuk ka qenë ajo që në kualifikuese ka treguar kur ka luajtur përkrah Lorik Canës. Sot, pritet që Ajeti të kryejë vizitat mjekësore te Frozinone.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"