Arkëtojnë 1.2 milionë €, klubet shqiptare humbin nëntë… xhevahirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 23:15

Arkëtojnë 1.2 milionë €, klubet shqiptare humbin nëntë… xhevahirë

Menaxhimi i talenteve është një nga pikat nevralgjike të futbollit shqiptar. Puna me akademitë është diçka që po jep frytet e saj në disa prej ekipeve, mirëpo ka ende shumë për të përmirësuar kur vjen puna që klubet t’u kthejnë mbrapsht të ardhura të rëndësishme presidentëve të tyre. Zyrtare dhe lajme në pritje të konfirmimit, janë bërë vetëm 4 shitje deri më tani nga Kategoria Superiore. Ka edhe xhevahirë që pritet të sjellin goditje të mëdha financiare për klubet si në rastin e Ernest Muçit. “Panorama Sport”, në analizën e saj, ju sjell edhe humbjet e mëdha të klubeve, nga lojtarë shumë të vlefshëm për çfarë kanë dhënë në fushë.
Shkurtaj5
Humbjet – Është për të ardhur keq që investimi i presidentëve nuk u kthehet mbrapsht as në rastin kur bëhet fjalë për futbollistë që bëjnë diferencën në skuadrat e tyre. Rastet e Vasil Shkurtajt, Albi Dokës, Valon Ethemit, Majkëll Ngosë, Alen Sherrit, Ardit Krymit dhe Eglentin Gjonit janë treguesit më të qartë që në Kategorinë Superiore klubet shqiptare vuajnë shumë për menaxhimin. Kryegolashënuesi i verilindorëve apo edhe Ethemi, me shumë kontribute, nuk kanë rinovuar dhe u largohen arkave të klubit duke mos u sjellë asnjë të ardhur. Dy largime që e bëjnë Kukësin si të humburin e madh nga ky pikëvështrim, qoftë edhe për faktin se për sulmuesin verilindorët paguan Luftëtarin për kartonin. Mbrojtësi dhe sulmuesi i Tiranës, Doka dhe Ngo, përveç kontributit në fushë, teksa sulmuesi ka qenë protagonist në 28 gola të kryeqytetasve (13 gola dhe 15 asiste) nuk do të kthejnë asnjë kacidhe në klubin më të titulluar. Bëhet fjalë për lojtarë thelbësorë në suksesin e këtij sezoni dhe jo vetëm. Futbollistë për të cilët klubi ka investuar shumë, në kohë, teksa Doka vjen nga ekipet zinxhir, por edhe në para, pasi Ngo ka qenë ndër më të paguarit te kryeqytetasit.
Sherri
Keqardhja – Është për të ardhur keq që ende në vendin tonë nuk njihet tradita për të shitur një karton të futbollistit. Ndoshta jo me shuma qindra-mijëraeuroshe, por as me shifra sado simbolike, qoftë 5 apo 10 mijë euro! Për të ardhur keq kur një portier si Alen Sherri ikën si i lirë nga Vllaznia. Edhe Ardit Krymi nuk menaxhohet si duhet për të kthyer në klub të ardhura. Apo, gjithashtu rasti i një titullari në disa sezone radhazi te Laçi, si Eglentin Gjoni, i cili ishte edhe kapiten për kurbinasit. Po ashtu Bedri Greca iku drejt Kosovës me parametër zero.
mucii
Goditjet në pritje – Ekzistojnë edhe yje dhe talente të kampionatit si në rastin e Tiranës me Ernest Muçin apo edhe Jurgen Çelhakën prej të cilëve priten të ardhura të rëndësishme nga shitja e kartonëve. Apo, edhe rasti i Jasir Asanit në momentin që të finalizohet marrëveshja e Partizanit me AIK-un. Lorenco Vila apo edhe Kirian Nuabueze, nëse do të finalizohen të gjithë zërat e merkatos, do të sjellin të ardhura të rëndësishme për Teutën dhe Laçin. Por, deri më tani, këto janë goditjet në pritje nga klubet në fjalë. Ajo që duhet theksuar, është mungesa e një strategjie dhe e një metode të qartë e të saktë pune që presidentët të kenë menaxhimin e duhur në klubet e tyre për të arkëtuar, mundësisht, nga çdo lojtar që ikën.
TRANSFERIME
OLSI TUJANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"