Argjentina perfekte, “fluturon” me Lionel Mesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2014 | 20:00

Argjentina perfekte, “fluturon” me Lionel Mesin

MesiNIGERI – ARGJENTINA 2-3
GOLAT: Musa 4′, 47′ / Mesi 3′, 45′, Roho 50′
NIGERIA (4-2-3-1): Enjeama, Jobo, Ambroz, Omeruo, Oshaniva, Obi Mikel, Onazi, Babatunde (Uçebo 66′), Musa, Odemingue (Nuofor 80′), Emenike Trajner: Stefën Keshi
ARGJENTINA (4-3-3): Romero, Zabaleta, Garaj, Fernandez, Roho, Maskerano, Gago, Di Maria, Mesi (Alvarez 63′), Aguero (Laveci 38′), Higuain (Bilia 91′) Trajner: Alehandro Sabeja
GJYQTAR: Nikola Ricoli

Për aq kohë sa është Mesi, ky Mesi, Argjentina mund të qëndrojë e qetë dhe të ëndërrojë triumfin. Një dopietë e tij për ditëlindjen e 27-të gjunjëzon një Nigeri “të gjallëruar”, e cila kënaqet me vendin e dytë në grup. Ka arritur kuotën e katër golave, tre kryevepra dhe një prej finalizuesit si sulmues qendre. Katër gola në dy ndeshje e gjysmë, pasi Sabeja e zëvendësoi. Argjentina, në këmbët e “shkurtabiqit gjigand” kalon në 1/8-at me të gjitha fitore. Vetëm Kolumbia ka arritur ta realizojë një gjë të tillë deri tani. Ishte që nga koha e Maradonës, që një argjentinas nuk shkonte katër gola radhazi në Botëror. Diego i realizoi në momente vendimtare, dy në çerekfinale dhe dy në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 1986. Mesi e arrin dhe është gati ta kalojë.
Sulmi Përveç Mesit, këtë herë u pa diçka më shumë. Kjo ka qenë ndeshja më e mirë e Argjentinës në këtë Botëror. Të paktën në repartin sulmues. Mjafton një fjalë për të shpjeguar arsyen: hapësirë. Nigeria i lejoi shumë të tillë në dispozicion, ndryshe nga Irani. Goli i avantazhit erdhi pas vetëm tre minutash. Gjuajtja e Di Marias godet dy herë shtyllën, para se të shkojë në këmbët e “pleshtit”, që shkundi rrjetën me një goditje të fortë. Por, në mënyrë surprizuese, barazimi nuk vonoi. Ishte Musa, ai që me një gjuajtje mahnitëse nga distanca, ekuilibroi rezultatin. Higuain duket jashtë formë dhe Aguero dëmtohet, duke u zëvendësuar nga Laveci. Gjithsesi, mjaftonte Di Maria për të ushtruar presing të vazhdueshëm te porta e Enjeamës. Por, për të rikthyer avantazhin mendoi sërish “magjiku” Mesi. Në limitet e pjesës së parë, ai ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi në afërsi të zonës, duke mos i dhënë asnjë shans gardianit afrikan.
Pjesa e dytë Vetëm dy minuta pasi skuadrat kishin rizbritur në fushën e lojës, Musa shqetëson jo pak Sabejën. Mbrojtja e Argjentinës “fut ujë” dhe mesfushori realizoi golin e dytë, duke e çuar ndeshjen në 2-2. Të mendosh që përballë kishin një kundërshtar që nuk tremb shumë, por i ndëshkoi dy herë. Për të vulosur triumfin mendoi mbrojtësi Roho, i cili shënoi në të 50-ën minutë. Edhe pse në pjesën e mbetur të takimit u krijuan shumë raste për shënim, finalizimi nuk ishte ai që pritej, ndoshta edhe në mungesë të Mesit, që u zëvendësua 30 minuta para fundit. Një Argjentinë që kualifikohet e para, me një repart sulmues “të rilindur”, por me një mbrojtje që të bën me dhembje koke. Nga ana tjetër, Nigeria festoi gjithashtu, pavarësisht humbjes, pasi ia dolën që të linin pas Bosnjën e Iranit dhe të kualifikoheshin për në 1/8-at…

Mesi kritikon: Kemi probleme në mbrojtje
Lionel Mesi e ka cilësuar këtë Botëror si të rrallë, ndërkohë që është optimist për ecurinë e Argjentinës së tij. Ai ka përgëzuar punën e bërë nga reparti sulmues dhe njëkohësisht nuk i ka kursyer kritikat për mbrojtjen.
Kupa e Botës – “Ka qenë me të vërtetë e rrallë. Janë eliminuar shumë skuadra të forta dhe është e vështirë të bësh parashikime. Por, kjo e bën edhe më të bukur”.
Ecuria – “Njerëzit na kanë mbështetur dhe presin shumë prej nesh. E dimë që duhet të fitojmë dhe unë kam besim se do ia dalim mbanë. Kemi ardhur këtu për të ngritur trofeun dhe do të japim gjithçka në fushë”.
Sulmi – “Ndaj Nigerisë krijuam shumë mundësi shënimi, pasi gjetëm hapësira. Mendoj se ndeshje të tilla ndihmojnë edhe në aspektin psikologjik. E kemi treguar gjithnjë që jemi të aftë të bëjmë diferencën në repartin e avancuar”.
Mbrojtja – “Ai repart është shqetësimi ynë për momentin. Nuk duhet të pësojmë gola, pasi hedhim poshtë edhe punën që bën sulmin. Ndaj Nigerisë u ndëshkuam dy herë dhe kjo nuk duhet të përsëritet në përballjet e raundeve të ardhshme”.

Gjyshi i Mesit: Leo nuk vrapon më në fushë
Lionel Mesi është kritikuar për mungesën e angazhimit në fushim, por deri tani ka qenë lideri i padiskutueshëm i Argjentinës, me katër gola në tri fitoret e arritura. Gjithsesi, gjyshi i yllit argjentinas, Antonio Kuçitini, nuk ka menduar që të thotë vetëm fjalë të mira. “Mesi nuk më ka bindur. Ai nuk vrapon më në fushën e lojës dhe nuk driblon, ashtu si bën në Spanjë. Është i aftë të kalojë edhe 20 kundërshtarë, por kam vënë re që nuk është në maksimumin e tij. Pres më shumë prej Leos”, tha Kuçitini. “Ai do e rrisë nivelin e tij. Jam i bindur. Lutem në Zot që të mos ketë probleme fizike, pasi do ta udhëheqë Argjentinën te triumfi i Kupës së Botës. Ai është i jashtëzakonshëm dhe të gjithë e dimë këtë. Dua që të jetë i qetë psikologjikisht dhe të bëjë më të mirën. E dua shumë”, përfundoi deklaratën e tij gjyshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"