Argjentina mbetet pa trajner, shkarkohet Edgardo Bauza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2017 | 10:18

Argjentina mbetet pa trajner, shkarkohet Edgardo Bauza

Nuk ka zgjatur as një vit eksperienca e Edgardo Bauzës në stolin e kombëtares së Argjentinës. Tekniku 59-vjeçar, i cili zuri vendin e Tata Martinos në gusht, pasi bindi Mesin të kthehej përsëri në përfaqësuese, mendohej se do të udhëhiqte këtë ekip drejt sukseseve të rëndësishme.

bauza mesi

Por vetëm 3 fitore në 8 ndeshje dhe rreziku i mospjesëmarrjes në Botërorin 2018, sollën vendimin e Federatës Argjentinase, ndonëse presidenti i kësaj të fundit, Klaudio Tapia, pak javë më parë e kishte mbështetur atë publikisht.

“I thamë Bauzës se ai nuk ishte më trajneri i kombëtares tonë”, konfirmoi Tapia të hënën para gazetarëve, duke nisur zyrtarisht kërkimin për një teknik të ri. Dy emrat më të përfolur vazhdojnë të mbeten ato të Horge Sampaolit dhe Diego Simeones.

Por në pamundësinë ekonomike për të përballuar kërkesat e tyre dhe të prishjes së kontratave me klubet përkatëse, Argjentina po shqyrton edhe alternativa të tjera si Marcelo Gajardo dhe Horge Almiron.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"