Argjentina e përçarë për Sampaolin, ja sa miliona mund t’i kushtojë shkarkimi i trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2018 | 17:57

Argjentina e përçarë për Sampaolin, ja sa miliona mund t’i kushtojë shkarkimi i trajnerit

Argjentina është në mes të stuhisë. Pas humbjes së rëndë 3-0, të pësuar në ndeshjen e dytë në Grupin D, ndaj Kroacisë, bardhekaltrit janë vetëm pak “centimetra” larg eliminimit nga Kupa e Botës. Atmosfera pas disfatës së të enjtes u kuptua qartë që ishte e rëndë, aq sa me t’u kthyer në dhomat e zhveshjes, asnjë prej lojtarëve nuk ka pranuar që të qëndrojë apo të komunikojë me njëri-tjetrin dhe akoma më shumë që të presë një dialog sy më sy me trajnerin Sampaoli dhe stafin e tij.

sampaolii

Kushdo që ka zbarkuar në dhomat e zhveshjes, thjesht ka shfryrë nervozizmin sipas mënyrës që e ka menduar më të drejtë, ka mbledhur sendet personale dhe është larguar në drejtim të autobusit që do t’i shoqëronte në aeroport dhe më pas në hotel. Fytyrat kanë qenë të zymta, por ka pasur edhe nga ata që nuk kanë kafshuar aspak gjuhën dhe kanë vërtetuar se nuk duan më që të vazhdojnë me trajnerin Sampaoli. Këtë e tregoi shumë qartë Serxho Aguero, ku i pyetur nga gazetarët se Sampaoli kishte deklaruar se skuadra nuk ndoqi kërkesat e tij në fushë, sulmuesi u përgjigj qartë: “Sampaoli le të thotë çfarë të dojë”.

SHKARKIM 20 MILIONËSH – Madje, media argjentinase ka përfolur se me të mbërritur në hotel, disa prej lojtarëve janë mbledhur dhe janë dëgjuar duke biseduar mes njëri-tjetrit që të kërkojnë në federatë kokën e trajnerit të tyre, pa pritur që të luajnë ndeshjen e ardhshme. Madje, kjo kërkesë mund të mendohet se mund t’i jetë dhënë federatës, për ta shkarkuar Sampaolin përpara ndeshjes së radhës, në grup, kundër Nigerisë. Për më shumë, në media është specifikuar se kjo hipotezë mund të bëhet realitet dhe emri që përflitet se mund të ulet në pankinë është ai i Horge Burraçagas, kampion i botës në turneun e vitit 1986, skuadër në të cilën Diego Armando Maradona ishte kapiten.

Gjithsesi, në të njëjtën kohë, media kujton edhe ngërçin që kërkesa për të shkarkuar Sampaolin nuk mund të aprovohet. Fakti është se nëse ai ka nënshkruar deri në vitin 2022 me federatën argjentinase, për 2.8 milionë dollarësh në sezon, në kontratë ekziston edhe një klauzolë, e cila nënvizon: në rast shkarkimi nga federata, kjo e fundit duhet t’i paguajë Sampaolit jo vetëm pagat e mbetura, por një total prej 20 milionë dollarësh, për faktin se trajneri argjentinas, për kombëtaren e vendit të tij hoqi dorë nga kontrata me Sevijën, ku merrte dyfishin e pagës aktuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"