Argjentina, aty ku ‘Pleshti’ udhëheq ‘Demat’ e ‘Gjeneralët’/ Nga trajneri te rezervat, ja nofkat e amerikano-jugorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 22:43

Argjentina, aty ku ‘Pleshti’ udhëheq ‘Demat’ e ‘Gjeneralët’/ Nga trajneri te rezervat, ja nofkat e amerikano-jugorëve

“Gjeneralë” e “Muzikantë”, person azhe vizatimore dhe “Dema”, paradoksalisht të gjithë të udhëhequr nga një “Plesht” po synojnë titullin e tretë botëror për Argjentinën.

mesi

Në përbërje të “La Scaloneta”-s, kombëtares së Lionel Skalonit, gjen pseudonime nga më të larmishmit, që më shumë se thjesht një emër, përfaqësojnë shpesh karakterin dhe shpirtin e secilit, pa lënë mënjanë edhe tiparet fizike.

MARTINEZ, “EL DIBU”- Epiteti i portierit vjen nga emri i personazhit të një filmi vizatimor, të cilit Martinez i ngjante si fëmijë. “Kur luaj me Mesin bëhem Super Sajani në Dragon Boll Z”, shprehet portieri.

MOLINA, “EL GALGO” – Aq i shpejtë sa një “Zagar” duket Molina sa herë që merr krahun, që e alternon me Montiel, i njohur si “El Bombero”, (Zjarrfikësi), pas përpjekjeve për të shuar zjarret rivale në zonë.

ROMERO, “EL CUTI” – Për epitetin që përkthehet çarçaf dysheku, mbrojtësi i detyrohet motrës së tij, që e quajti ashtu pasi e pa të mbështjellë në një leckë të bardhë kur ishte i vogël. Epitet i butë, ndryshe nga “Pitbulli” i Lisandro Martinezit.

OTAMENDI, “EL GENERAL” – Nuk ka nevojë për shpjegime për “Gjeneralin” e Skalonit, që e tregon edhe me festimin e tij me dorën te balli.

AKUNJA, “EL HUEVO” – “Do të shpërthesh si një vezë”, ishte parashikimi për të ardhmen e ndritur nga një arbitër që e pa duke luajtur.

DE POL, “LA TOPADORA” – Ekskavatori apo buldozeri, përshkruan më së miri fuqinë e tij në mesfushë dhe më pas në çdo cep të kuadratit.

FERNANDEZ, “EL MUSICO” – Skaloni i caktoi drejtimin e orkestrës me Poloninë “Muzikantit” dhe ai dha një shfaqje të tërë për të shijuar. “Magjistari” Paredes, mund të rikuperohet me qetësi.

MEK ALISTER, “EL COLO” – “Xhinxher” është një pseudonim i zakonshëm për ata me flokë të kuqe. Në kombëtare, Aleksis i kërkoi ndihmë Mesit: “A mund t’u thuash të mos më thërrasin ashtu?” Nuk funksionoi.

MESI, “LA PULGA” – Jeta e “Pleshtit” më të famshëm në histori është e gjitha një përpjekje për të vërtetuar se njeriu mund të jetë më i madhi edhe duke qenë kaq i vogël. Ai ia doli.

LAUTARO, “EL TORO” – Ishte një stopim i fuqishëm me gjoks kur sapo kishte filluar karrierën që i solli këtë epitet sulmuesit, që tashmë vendin e titullarit ia ka zënë “Merimanga” Julian Alvarez, që feston me rrjetat e Njeriut Merimangë.

DI MARIA, “EL FIDEO” – Babai i tij ishte minator, varfëria i dobësoi këmbët dhe krahët, duke i dhënë njëherë e mirë statusin e “Makaronave”. Alehandro Gomez është “Papu”, për nga dashuria, si “Pupi” Zaneti dhe “Kuçu” Kambiaso.

SKALONI, “EL TORO” – Një tjetër “Dem”, këtë herë për guximin që ka pasur trajneri kur ka bërë mbrojtësin në të kaluarën. Por në La Korunja edhe “Kali” për mënyrën e veçantë të krosimit.

Përgatiti: NISLI GJINI  – PANORAMASPORT.AL