“Ardhja e të huajve prishi balancat në skuadër”, kapiteni i Kukësit i bën analizë sezonit të fundit: Qëndroj nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2023 | 12:46

“Ardhja e të huajve prishi balancat në skuadër”, kapiteni i Kukësit i bën analizë sezonit të fundit: Qëndroj nëse…

Si kapiten i skuadrës së Kukësit dhe një ndër lojtarët më të vjetër të bluve, Gjelbrim Taipi, e vuajti jo pak faktin që deri në fund skuadra ishte nën ethet e mbijetesës, duke ia dalë ta sigurojë qëndrimin vetëm në 90 minutat e fundit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 30- vjeçari ndalet te problemet, në të cilat hasi skuadra këtë sezon dhe që nuk duhet të përsëriten më nëse do të kërkojë të jetë pretendent. Fantazisti u ndal edhe tek e ardhmja e tij, e cila është në pikëpyetje, por do të vendoset pas një takimi me drejtuesit këto ditë. Kapiteni kërkon patjetër një ekip pretendent për të vijuar të mbrojë ngjyrat e Kukësit.

gjelbrim taipi

Gjelbrim, Kukësi arriti të mbijetojë vetëm në javën e fundit. A ishte një lehtësim për ju?

Po, normalisht, ashtu si shkoi kampionati, me një fitore shkoje në pesë vendet e para dhe me një humbje rrezikoje për të rënë nga kategoria. Është e vërtetë se në ndeshjet e fundit arritëm të sigurojmë mbijetesën dhe nuk ishte fare e lehtë, sepse kishim shumë ndeshje të vështira. Sidomos tri të fundit kanë qenë shumë të vështira, si Laçi, Bylisi dhe Erzeni.

Keni pasur ndonjëherë frikë se Kukësi në fund nuk do të mbijetonte dot?

Jo, frikë nuk është se kam pasur. Por çdo herë ia bëja vetes pyetjen se si ka mundësi që jemi në këtë pikë, duke parë se kishim një ekip me futbollistë cilësorë dhe me eksperiencë.

Ky ishte sezoni më i dobët i Kukësit në Superiore, pse skuadra nuk funksionoi?

Është e vërtetë se ishte sezoni më i dobët, por janë gjëra që duken. Nuk është se po e them unë tani dhe është ashtu. Ndërrimi i shumë futbollistëve që bëhen, ardhja e futbollistëve të huaj që nuk e njohin fare kampionatin, bën që të mos kesh balanca në skuadër. Duhet të jetë mësim për ne kjo që ndodhi dhe të mos përsëriten gabimet e njëjta.

Konsideroheni si mjeshtër i penalltive, pse aq shumë gabime këtë sezon nga pika e bardhë?

Po, kam humbur penallti dy herë kundër Erzenit. Mendoj se janë gjëra që ndodhin, por e rëndësishme është që ia dolëm dhe shpëtoi skuadra.

U shpallët lojtari me më shumë minuta në Superiore, cili është sekreti që jeni kaq në formë?

Nuk është se ka ndonjë sekret, thjesht që punoj shumë për t’i shmangur dëmtimet dhe normalisht kur nuk ke dëmtime je në gjendje për të luajtur çdo ndeshje.

Keni edhe një vit kontratë me Kukësin, do të vijoni të jeni pjesë e kësaj skuadre?

Do të ulem të bisedoj për shumë gjëra dhe nëse do të biem dakord për t’u rregulluar projekti për të sjellë sukses, normalisht do të qëndroj. Nëse jo, atëherë do të largohem.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe Kukësi këtë sezon për të qenë pretendent?

Është shumë e thjeshtë, mos t’i përsërisë të njëjtat gabime që i bëri këtë sezon në të gjitha aspektet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"