Ardhja e Pirlos në Torino ndryshon strategjitë, Juvja i parakalon të gjithë për yllin e mesfushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 23:38

Ardhja e Pirlos në Torino ndryshon strategjitë, Juvja i parakalon të gjithë për yllin e mesfushës

Sandro Tonali është pa dyshim një nga lojtarët e ndjekur nga Milani për të forcuar mesfushën. Djaloshi i talentuar në pronësi të Breshas është një “gjah” i vështirë për t’u arritur, sidomos për shkak të kërkesave të larta të klubit lombard.

tonali

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë kanë ofruar 25 milionë euro për mesfushorin e ditëlindjes 2000, por propozimi në fjalë iu kthye dërguesit, sepse u konsiderua shumë i ulët nga Masimo Çelino, presidenti i “Dallëndysheve”. Sidoqoftë, Milani po kërkon që një lojtar të vendoset në atë pozicion në fushë, të zëvendësojë numerikisht Lukas Bilian dhe të krijojë një alternativë për Ismael Benaser.

Drejtuesit e “Djallit” ndërkohë po punojnë edhe për profile të tjera, megjithëse me karakteristika të ndryshme, siç janë Bakajoko dhe Mark Roka i Espanjolit. Ideja është që skuadra e Piolit të shfaqet në fillim të sezonit me një skuadër të përforcuar në mesfushë, për të vazhduar aplikimin e 4-2-3-1 që trajneri përdori në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar duke arritur edhe rezultate të mira.

OFERTA BARDHEZI – Ndërkohë që Milani e Interi provojnë të rrëmbejnë talentin e Breshas, Juventusi është ajo që është vendosur më mirë sepse edhe propozimi i bërë ka qenë më i majmë. Bardhezinjtë janë gati të ofrojnë 30 milionë euro për kartonin e Tonalit, teksa në ofertë përfshihen edhe 3 milionë euro të tjera në formë bonusesh në bazë të arritjeve që “Pirlo” i ri do të bëjë në rast zbarkimi në Torino.

kieza-tonali-zaniolo

20-vjeçari do të ishte një përforcim ideal për “Zonjën e Vjetër”, e cila ka nisur një lloj rinovimi për sa u përket lojtarëve duke u munduar të afrojë në organikë elementë me moshë sa më të ulët. Edhe trajneri i sapoemëruar, Andrea Pirlo, do ta mirëpriste regjisorin e Breshas, vizioni dhe këmbët e të cilit duken gati për një skuadër të nivelit të lartë si Juventusi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"