Alla nga zjarrfikësja në gjykim, Shkalla kundërshtar pas 24 orësh. Ja pikantet e Teuta-Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 17:47

Alla nga zjarrfikësja në gjykim, Shkalla kundërshtar pas 24 orësh. Ja pikantet e Teuta-Bylisi

Ditën e djeshme u zhvillua ndeshja mes Teutës dhe Bylisit, e cila u fitua nga durrsakët me rezultatin 1-0. Më poshtë, “Panorama Sport” iu sjell pikantet nga ndeshja e zhvilluar në “Niko Dovana”.bandicam 2020-01-26 16-09-15-659

– Të paktën 800 tifozë ishin në stadium për të ndjekur Teuta-Bylis. Nëse përballë të pranishmit numëroheshin me sy të lirë, tribuna qendrorë ishte e mbushur.

– As 24 orë pas firmës në Ballsh, Silvestër Shkalla zbret në fushë si debutues. Kundër kishte si për ironi të fatit Teutën. Në Durrës u kthye me statusin e ish-it për të parën herë edhe Ditmar Bicaj dhe Isli Hidi.

– Idelino Gomes Kolubali debuton me fanellën e Teutës. Minuta mori edhe Ildi Gruda, i ardhur nga Shënkolli.

– Teuta nuk i bën mirë llogaritë. Me Shkallën e larguar dhe qendërmbrojtësin boshnjak të pafederuar, u vendos në siklet në të 22-ën minutë kur u dëmtua Renato Arapi. Me kapitenin jashtë fushe, Edi Martini u detyrua që të zhvendoste nga mesfusha qendërmbrojtësin Albano Aleksi, ndërsa në vendin e këtij të fundit u aktivizua Florent Avdyli.

– Me daljen e Renato Arapit, shiriti i kalon Emiljano Vilës. – Veljko Dovedan i pezulluar me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës, u detyrua që ndeshjen ta ndiqte nga tribuna. Në pankinë vendin e tij e zuri beratasi Polizoi Arbri. Dikur lojtar te Bylisi, tashmë ka statusin e zv.trajnerit.

– Laver Alla nga zjarrfikësja në gjykim. Dy ditë më parë ishte në krye të detyrës si zjarrfikës në Lushnja-Devolli, ndërsa dje gjykoi Teuta-Bylis.

– Ditmar Bicaj merr të katërtin karton të verdhë dhe humb ndeshjen e radhës në Shkodër.

– Sherif Kallaku la fushën në të 81-ën për t’i lënë vend Ildi Grudës, e megjithatë ndërrimin nuk e priti mirë. Ndonëse e takoi trajnerin, vendosi të shkonte direkt në dhomat e zhveshjes.

– Dy presidentët, Edmond Hasanbelliu dhe Ardian Bardhi e panë sfidën në tribunën VIP në shoqërinë e Besnik Kapllanajt dhe zyrtarëve të tjerë të klubeve respektive.

– Në orën 14 e 15 minuta të parët që shkelin tapetin e stadiumit “Niko Dovana” ishin lojtarët e Teutës. Pak minuta më vonë nuk munguan edhe ballshiotët, të ndarë mes titullarëve dhe pjesës së rezervave.

– Edi Martini për asnjë çast nuk u ul në stol, teksa herë pas here u imponohej të tijve. “Luaje topin më poshtë o Aleks”. Këshilla të vazhdueshme kishte edhe nga kapiteni Renato Arapi, për aq kohë sa ishte në fushë.

– Ardit Peposhi bërtet drejt pankinës: “Shpejt mo, shpejt takat”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"