“Arbitrat të deklarojnë pasurinë”, Teuta propozon ndryshimet në statut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 20:06

“Arbitrat të deklarojnë pasurinë”, Teuta propozon ndryshimet në statut

Federata Shqiptare e Basketbollit siç dihet e ka mbaruar mandatin e saj në datën 30 mars, ndërsa së shpejti pritet të kemi asamblenë statutore për të shkuar më pas në zgjedhje. Por gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar debatet dhe diskutimet, ku shoqatat kanë bërë propozimet e tyre për ndryshimet statutore.

Basket meshkuj

Teuta është një prej klubeve që ka dalë hapur, duke shprehur pakënaqësitë për statutin aktual dhe punën e FSHB-së. Durrsakët kanë paraqitur propozimet e tyre për ndryshimet në stataut, duke treguar edhe pikat që sipas tyre nuk shkojnë.

Mes propozimeve bie në sy kërkesa për deklarimin e pasurisë çdo vit nga arbitrat, si dhe zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm. Ja lista e plotë e ndryshimeve statutore që kërkon Shoqata Teuta Basket:

NENI 1 PIKA 4 – Duhet cilësuar asambleja e përgjithshme.

NENI 6 PIKA B – 3X3 Cilat janë burimet e ligjshme? Specifikim.

NENI 9 PARAGRAFI I FUNDIT – Të drejtat janë statutore dhe nuk vendos gjë KD-ja.

NENI 13 – Komisionet duhet të jenë permanente, të pavarura nga KD-ja dhe të varura vetëm nga asambleja.

NENI 23 PIKA 3 – Përsëri nuk është e qartë sepse në asnjë rast në asamble nuk mund të mblidhen 100% e anëtarëve të saj.

NENI 23 PIKA 6 – Përgjigjja që na është dhënë, pse nuk është paraqitur në statut?

NENI 25 PIKA 9 SEKRETARI I PERGJITHSHËM – Kërkojmë që propozimi ynë për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm në konkurs, të përfshihet në pikat që diskutohen në asamble.

NENI 27 PIKA 1 GËRMA F – Nuk është e njëjta gjë administrata me KD-në, kanë funksione krejt të ndryshme.

NENI 29 PIKA 1 – Është i paqartë. Cilat janë implikimet financiare?

NENI 29 – Duhet shtuar: Sekretari i përgjithshëm nuk mund të mbajë këtë pozicion për më shumë se 2 mandate (propozimi të diskutohet në asamble).

NENI 31 KOMISIONET 4. – Propozimi ynë është: Komisioni Teknik, Komisioni i Financës, Komisioni Disiplinor dhe Kolegjiumi i Arbitrave nën drejtimin e një disenjatori jashtë federate që merret me menaxhimin e këtij organi për një mbarëvajtje sa më të mirë të sistemit të arbitrimit që për hir të së vërtetës ka qenë më i përfoluri kohët e fundit. Ka ardhur koha që sistemi i arbitrimit të jetë i pavarur dhe arbitrat çdo vit të bëjnë deklarimin e pasurisë. (kërkojmë që edhe kjo të diskutohet në asamble).

NENI 32 ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE 1. – Cilat janë organet e gjykimit disiplinor? Të përcaktohen dy shkallët e para, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni i Apelimit që duhet të jenë pranë FSHB-së. Shkalla e tretë duhet të jetë KAS. 4. Duhet shkruar mbas shpalljes së vendimit nga Komisioni i Apelit. Në rastet kur nuk funksionon KAS, siç ndodh për momentin që flasim, ku ndodh ankimimi?

NENI 34 BURIMET E FINANCIMIT 5. – Duhet shtuar: Të ardhurat nga kontributet e anëtarësimit vjetor, federimeve, transferimet e lojtarëve vendës dhe të huaj duhet të miratohen në asamblenë e përgjithshme, pasi kanë të bëjnë direkt me interesat e anëtarëve të asamblesë. Në përgjigje shkruhet që është përfshirë, ndërsa në materialin e dërguar nga ju nuk ekziston. (Është harruar rastësisht?)

NENI 41 KONFLIKTI I INTERESAVE 4. – Duhet shtuar: Aktiviteti i tij bie ndesh me politikat e barazisë së anëtarëve të FSHB, të cilët ushtrohen që nga organizimi i kalendarit, hedhja e shorteve, arbitrimi dhe deri te të qenurit direkt ose indirekt në role të dyfishta (Vetë ose të afërmit e tij), si pjesëmarrës në aktivitetet e FSHB dhe si menaxhues ose arbitër në kampionatet e organizuara nga FSHB. Sugjerimet janë shumë të qarta dhe duhet të përfshihen në pikat që diskutohen në asamble. Kjo ka të bëjë me problemet nga të cilat vuan FSHB-ja”.

Ndërsa përveç propozimeve statusore, klubi i Teutës i ka paraqitur edhe një letër FSHB-së, ku kërkon informacion mbi listën e anëtarëve të asamblesë zgjedhore: “Meqë jemi në vit zgjedhor, ku organeve të FSHB-së u ka mbaruar mandati që më 30 mars, nuk kemi asnjë udhëzim mbi organizimin e aktivitetit të organeve të zgjedhura jashtë mandatit.

Kërkojmë informacion për listën e anëtarëve të asamblesë zgjedhore, në mënyrë që të mos kemi probleme me ngatërrime listash në momentet e fundit, duke shtuar anëtarë jashtë kritereve siç ka ndodhur në zgjedhje të mëparshme. Duhen përcaktuar strikt arsyet e të qenurit anëtar (çfarë duhet të përmbushin dhe votat që ka secili anëtar i asamblesë)”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"