“Arbitrat na penalizojnë çdo ndeshje”, flet Dushkaj: E surprizojmë edhe Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2020 | 11:00

“Arbitrat na penalizojnë çdo ndeshje”, flet Dushkaj: E surprizojmë edhe Kukësin

Luftëtari do të kërkojë të surprizojë edhe Kukësin nesër në “Elbasan Arena”. Pasi e bëri diçka të tillë në Gjirokastër në fundin e fazës së dytë, të besuarit e Neritan Novit duan të zhvillojnë një tjetër ndeshje dinjitoze ndaj skuadrës verilindore.jurgen dushkaj

Një prej titullarëve të padiskutueshëm të këtij sezoni, Jurgen Dushkaj, i cili ka luajtur në shumë pozicione, por më tepër si mbrojtës i majtë, në bisedën për “Panorama Sport” shpreh bindjen se skuadra do të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Fillimisht ai foli për barazimin ndaj Bylisit në Gjirokastër. “Duhet të kishim marrë më shumë se një pikë. Por, ky është futbolli. Djersit shumë dhe në fund të 90- minutëshit merr atë që nuk e meriton. Jemi mbledhur bashkë të gjithë lojtarët dhe kemi vendosur që të japim maksimumin deri në fund për Luftëtarin dhe veten tonë.

Fjalët e trajnerit Neritan Novi para ndeshjes me Bylisin na motivuan për të dhënë më të mirën. Trajneri na karikon para çdo ndeshjeje që të japim atë çfarë kemi si lojtarë. Na jep liri të dalim në lojën tonë, por pa e ekzagjeruar”, ka thënë fillimisht 24-vjeçari.

Për Dushkajn dhe jo vetëm, Luftëtari është ekipi më i diskriminuar nga arbitrat këtë sezon. Lojtari me origjinë nga Lezha, që në të kaluarën ka disa eksperienca në kampionatin rumun dhe këtë sezon luan për herë të parë në Superiore, ndien keqardhje për gjykimet në dëm të Luftëtarit. “Po shikohet qartë se po penalizohemi në çdo ndeshje. Gjithsesi, gjykoj se nuk ia vlen të flasim për të kaluarën.Luftetari ndaj Skenderbeut

Këto penalizime na bëjnë më të fortë edhe si karakter për të ardhmen tonë. Me profesor Novin po punojmë shumë dhe jam i sigurt se do jemi problem për çdo kundërshtar. Te Luftëtari ka çuna me shumë sedër, të cilët s’hapin rrugë lehtë. E tillë do jetë edhe ndeshja me Kukësin, që nuk kemi se çfarë të humbasim. Për ne ka rëndësi që kur të mbarojë kampionati, të jemi të ndërgjegjshëm se kemi dhënë gjithçka për këtë ekip”, theksoi Dushkaj.

Në fund, ai foli edhe për situatën surreale në vend pas përhapjes së Koronavirusit. “Ne mendojmë vetëm për stërvitje. Frikë nuk kemi, por shumë kujdes. Frikë vetëm nga Zoti. U uroj shërim të shpejtë të gjithë të prekurve në Shqipëri”, përfundoi Dushkaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"