Arbitra gjirokastritë ndaj Korabit, reagon Vllaznia: Nuk ka logjikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 11:28

Arbitra gjirokastritë ndaj Korabit, reagon Vllaznia: Nuk ka logjikë

Klubi i Futbollit Vllaznia shfaq hapur pakënaqësinë e arbitrimit të ndeshjes së sotme ndaj Korabit nga një treshe gjyqtarësh gjirokastritë.

vllaznia partizani arbitrat kridens meta

Shkodranët kanë lëshuar një komunikatë për shtyp kur bëjnë me dijë se janë informuar që drejtësinë në takimin e sotëm do ta vendosin tre arbitra nga Kolegjiumi i Gjirokastrës të cilët debutojnë në Superiore. Diçka e tillë për drejtuesit e Vllaznisë duket pa logjikë pasi Luftëtari i Gjirokastrës është një rival direkt i shkdoranëve në garën për vendin e 4-t.

Pas reagimit të Vllaznisë, “Panorama Sport” u interesua për arbitrat e këtij takimi dhe mësoi se gjyqtar kryesor do të jetë Elidon Halaj nga Memaliaj, dhe asistentë të tij do të jenë Proletar Puto nga Gjirokastra dhe Nuri Rrapaj nga Patosi.

Reagimi i plotë i Vllaznisë

“Klubi i Futbollit Vllaznia ka mësuar prej burimeve të ndryshme se ndeshjen e sotme Vllaznia-Korabi, do të jenë tre arbitra të kolegjiumit të Gjirokastrës me një kryesor që sipas informacioneve tona, arbitron për herë të parë në Superligë.

Sigurisht që ne i urojmë suksese në karrierën e saponisur dhe absolutisht nuk kemi asgjë me të dhe po ashtu asnjë lloj paragjykimi për mënyrën si do të arbitrojë. Por nga ana tjetër, mendojmë se nuk është logjike që një arbitër gjirokastrit të drejtojë Vllazninë e cila është në konkurrencë me Luftëtarin e Gjirokastrës për vendin e katërt në renditje.

Pyetja jonë është: Çfarë do të kishin menduar drejtuesit, futbollistët dhe tifozët e Luftëtarit nëse në takimin ndaj Skënderbeut do t’i arbitronte një shkodran? Pavarësisht këtyre gjërave, urojmë dhe shpresojmë që arbitrimi të mos ketë asnjë problem në takimin tonë ndaj Korabit dhe i urojmë suksese në karrierën e saponisur arbitrit gjirokastrit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"