“Arbitër racist dhe karton absurd në Pukë”, sulmuesi i Shkumbinit tregon çfarë përjetoi ndaj Tërbunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 18:55

“Arbitër racist dhe karton absurd në Pukë”, sulmuesi i Shkumbinit tregon çfarë përjetoi ndaj Tërbunit

Shkumbini arriti të merrte një barazim të vyer në fushën e Tërbunit, duke ndërprerë ecurinë negative të javëve të fundit. Protagonist i kësaj pikë të fituar ishte sulmuesi afrikan, Ejoh, vendimtar me penalltinë e fituar dhe golin e shënuar nga pika e bardhë. Mirëpo sulmuesi nigerian ka mbetur mjaft i shokuar nga loja e rëndë e lejuar në Pukë dhe falënderon Zotin që nuk doli i dëmtuar.

Ejoh

Autori i 4 golave për Shkumbinin në këtë kampionat u shpreh për gazetën se ka dëgjuar fjalë raciste nga gjyqtari vlonjat, Ardit Merdanaj. Për korrektësi, pohon se nuk është i sigurt nëse fyerjet ishin për të apo dikë tjetër, por Shkumbini nuk ka afrikan tjetër…

“Nuk është sezoni i parë që luaj në Shqipëri dhe e di shumë mirë që në disa fusha luhet futboll i fortë. Por kur loja e fortë i kalon limitet, kur kundërshtari të kap nga qafa, të godet me shkelm për të të ndaluar, besoj se në asnjë vend të botës nuk mund të kalojë pa ndëshkim. Jam ndaluar në mënyrë të parregullt nga një lojtar vendës dhe kur kam parë gjyqtarin që dha faull kundër nesh, sinqerisht nuk dija si të veproja. I thashë arbitrit: ‘Mister, pse jo faull për mua që rashë në tokë nga goditja?’ Jo vetëm që kam parë kartonin e verdhë në fytyrë, por gjyqtari ka thënë edhe fjalë raciste, që nuk e di nëse ishin për mua apo për dikë tjetër.

Ky është një turp i madh, një lojtar i huaj që nuk trajtohet si gjithë të tjerët, pse? A nuk jemi të gjithë të barabartë në rregullat e këtij sporti? Pse të huajt duhet të paragjykohen kaq shumë, kur luajmë futboll për të mbajtur familjen? Më vjen shumë keq, pasi kjo nuk ndodh në të gjitha fushat ku kam luajtur.

Përkundrazi, në disa stadiume ka mikpritje”, tha Ejoh, duke shprehur gjithë indinjatën e tij kundër gjykimit në Pukë. Për golin, sigurisht që është i kënaqur, pavarësisht se shpresonte që Shkumbini të fitonte. “Stërvitem fort dhe në fushë mundohem të jap maksimumin. Falë Zotit, shënova sërish dhe i dhashë skuadrës një pikë”.

Fatmir Ahmeti – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"