Arbëri përpara sfidës me Burrelin: Renditje provizore, gati të përballojmë “maloren”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 19:58

Arbëri përpara sfidës me Burrelin: Renditje provizore, gati të përballojmë “maloren”

Te Tomori kanë mbledhur forcat. Kohë për të “qarë” se çfarë shkoi keq nuk kanë, dhe sidomos kur kalendari u ka rezervuar dy transferta radhazi. Udhëtojnë fillimisht në Burrel për të matur forcat me matjanët dhe më pas në Shijak, ku i pret Luzi 2008.

KLODIAN ARBERI

Klodian Arbëri mundohet që të karikojë ekipin para kësaj “maloreje”. Për “Panorama Sport”, trajneri ka bërë të ditur se do të tentojë kthesën e madhe direkt. Edhe pse luajnë në fushë të kundërshtarit, renditja dhe pikët e lëna ua imponojnë këtë objektiv.

“Jemi totalisht të fokusuar te procesi stërvitor dhe korrigjimi i ndonjë gabimi të hasur këto javë. Java e 7-të na çon në Burrel dhe do të tentojmë kthesën. Kemi dy transferta radhazi në fakt, por jemi gati. Moralin e kemi lart, edhe pse kemi humbur në fushën tonë me Skënderbeun. Unë besoj shumë te skuadra dhe kjo është pasojë e përkushtimit të tyre në çdo seancë dhe mbi të gjitha të potencialit që zotërojnë. Nisur nga kjo, jam i bindur se të paktën në njërën nga këto dy transferta do ta marrim një fitore. Ky është objektivi ynë, ndonëse do të më pëlqente të merrnin pikët maksimale në 180 minuta”, ka thënë mes të tjerash tekniku i skuadrës beratase.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"