Arbër Mone akord me Kukësin, ja situata me Mario Morinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2016 | 10:26

Arbër Mone akord me Kukësin, ja situata me Mario Morinën

Kukësi bën për forcimin e radhës, por këtë herë nga kampionati shqiptar dhe ai është Arbër Mone. Mbrojtësi i majtë ka qenë dëshira e trajnerit Klodian Duro dhe presidenti Gjici i ka ofruar një kontratë lojtarit, e cila mësohet se është njëvjeçare. Ish-kapiteni i Tërbunit, Arbër Mone, dje për “Panorama Sport” deklaroi:Mone te Terbuni“Me keqardhje po largohem nga Tërbuni, ku kam kontribuar prej pesë sezonesh. Nuk mund të rrija më pa marrë asnjë lekë, pasi prej pesë muajsh nuk kemi përfituar asnjë të ardhur. Pra, largimi im nga Tërbuni erdhi për arsye financiare dhe sot (dje) kam firmosur me Kukësin.

Dua të falënderoj drejtuesit e klubit kuksian që më bënë pjesë të ekipit të tyre. Te Tërbuni kam kaluar një periudhë pozitive, ku kulmi erdhi në edicionin e fundit ku skuadra pukjane hyri në histori duke u bërë pjesë e Kategorisë Superiore. Me këtë rast dua të falënderoj tifozërinë pukjane, e cila më ka dhënë një mbështetje maksimale në të gjitha takimet.

Siç e përmenda, largimi im erdhi vetëm për arsye financiare. Fazën përgatitore e bëmë në Shëngjin dhe besuam se do të kompletohemi me lojtarë cilësorë dhe se do të kemi financat e garantuara, por kjo nuk ndodhi.

Premtimet qenë të mëdha në fillim të merkatos, por asgjë nuk u arrit deri në këtë moment që flasim. Më vjen keq për tifozërinë pukjane që e shikojnë ekipin e tyre të zemrës të katandisur në këtë situatë. Unë i uroj suksese Tërbunit në mënyrë që të qëndrojë sa më gjatë në Superiore”.

Morina nuk vjen- Dëshira tjetër e trajnerit Duro, Mario Morina, nuk mund të realizohet, pasi vetë lojtari mohon çdo mundësi transferimi te Kukësi. “Nuk jam në bisedime me Kukësin dhe nuk do jem pjesë e kësaj skuadre. S’jam as në negociata dhe nuk kam ndër mend të shkoj”, tha Morina për “Panorama Sport”.

I pyetur për takimin me trajnerin Duro, ai thotë: “Jam takuar kohë më parë me Klodian Duron, por kjo s’do të thotë asgjë, pasi unë e kam shok Klodin. Nuk ka të bëjë me Kukësin takimi im me të”. Ndërkohë, Kukësit do t’i duhet të kërkojë sulmues tjetër dhe boshnjaku Mersudin Ahmetoviç mbetet ende synimi kryesor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"