Arapi karikon lojtarët, Teuta gati të surprizojë Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2022 | 11:45

Arapi karikon lojtarët, Teuta gati të surprizojë Tiranën

Teuta kërkon vazhdimësinë edhe kundër Tiranës. Teuta vjen pas dy javësh me rezultate pozitive dhe ndaj bardhebluve kërkon vazhdimësinë e tyre për t’u ngjitur lart në renditje.

TEUTA TIRANA 1

Teuta në provën e vazhdimësisë synon të bëjë të madhen përballë Tiranës. Durrsakët mendojnë për lart në “sprintin” final të sezonit, por fitorja bindëse në fundjavë ndaj Kukësit ka ndryshuar disi “humorin” e bregdetarëve.

Kampionët e Shqipërisë renditen momentalisht në vendin e shtatë me 39 pikë, me një distancë sigurie nga ndjekësi më i afërt, Egnatia, që pozicionohet në vendin e tetë me pesë pikë më pak.

Për herë të parë në këtë sezon, Teuta shënoi katër gola në një ndeshje dhe diçka të tillë e realizoi ndaj “verilindorëve”, të cilët gjithashtu ishin me “mision” në “Niko Dovana”.

Ky ishte suksesi i dytë radhazi në kampionat pas triumfit ndaj Dinamos në transfertë dhe tani pas dy fitoreve, Teuta ka arritur të gjejë deri diku stabilitetin e munguar në këtë edicion, pasi dy fitore bashkë durrsakët nuk i bënin bashkë nga sezoni i kaluar (8 dhe 13 maj 2021).

Në një moment të tillë, me dy objektiva në lojë, shmangia e vendit të tetë dhe, pse jo, të mos tentojë vendin e katërt, Teuta mund të nisë të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm, për të rindërtuar skuadrën dhe për të rikthyer ekipin përsëri në lartësinë e duhur, për të lënë pas vështirësitë e këtij edicioni.

Pritshmëritë e fillim sezonit ishin shumë të larta, por rezultatet ishin zhgënjyese, me Teutën që tashmë i duhet të bëjë një sprint final edhe për arenën europiane.

Në ndeshjen e radhës, skuadra e Renato Arapit do të masë forcat me kryesuesit e Tiranës, Teuta prezantohet në këtë sfidë me misionin e tri pikëve, pasi ende çdo gjë është e hapur sa i përket zonës së Europës deri në përfundim të sezonit.

TRAJNERI ARAPI – Durrsakët mbyllën dje përgatitjet për takimin e javës së 32-të në transfertë ndaj Tiranës. Trajneri Renato Arapi, para seancës stërvitore, ka folur para ekipit për sfidën ndaj bardhebluve.

Mes të tjerash trajneri Arapi iu drejtua kështu lojtarëve: “Duhet të kemi vëmendje maksimale te ndeshja ndaj Tiranës.

Duhet ta vlerësojmë në maksimum, pasi është një ndeshje e fortë dhe kundërshtari deri më tani ka bërë mirë në kampionat, kështu që duhet të japim maksimumin në fushë për të kaluar këtë duel”. Pas fjalës së trajnerit ekipi zbriti në fushë duke vijuar programin stërvitor.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"