Arapi e ka “bazën”, ja kush jep garanci për Teutën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 23:50

Arapi e ka “bazën”, ja kush jep garanci për Teutën e re

Sezoni 2021-2022 ishte shumë zhgënjyes për Teutën, që pas titullit kampion nuk kapi dot në kampionatin e radhës as Europën. Megjithatë, pas reflektimit në këtë periudhë, klubi vendosi që t’ia besojë projektin e sezonit të ri trajnerit Renato Arapi. Fokusi do të jenë të rinjtë, ndërsa deri më tani është konfirmuar afrimi i mesfushorit shkodran, Uheid Hoxhaj.

ARAPI

Kjo nuk do të thotë se merkatoja ka ngecur në Durrës, por te Teuta nuk duan të bëjnë gabimet e sezonit të kaluar me afrimet, prandaj dhe po tregohen shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e futbollistëve. Vetë trajneri Arapi deklaroi për “Panorama Sport” pak ditë më parë se përforcimet do të nisin që nga mbrojtja, një repart që zhgënjeu gjatë kampionatit të kaluar, gjithnjë sa i përket faktit që u pësuan shumë gola.

Gjithsesi, nëse shikon sot lojtarët që Teuta ka në dispozicion në repartin e prapavijës, mund të thuhet se baza është dhe Arapi me siguri do të vijojë me katërshen që mbylli sezonin. Nga krahët janë Hektor Idrizaj dhe Blerim Kotobelli, dy lojtarë me shumë eksperiencë, që kanë fituar edhe trofe në karrierën e tyre. Në qendër të mbrojtjes jep garanci dyshja Jazxhi-Qaqi, me të parin që fitoi besimin e Arapit dhe dha sinjale pozitive në kampionatin e fundit.

TË TJERËT

Pas largimeve të shumta duket se më i prekuri është reparti i mesfushës. Megjithatë, edhe aty ka dy lojtarë që qetësojnë stafin teknik, pikërisht kapiteni Emiliano Vila dhe Ledio Beqja. Ky i fundit u fitua nga stafi në kampionatin e kaluar, teksa mori më shumë minuta dhe shpërbleu gjithçka me lojën e tij.

I riu durrsak është pa diskutim e ardhmja, ashtu si Lorenco Vila në repartin e sulmit. Sa i përket ofensivës, garanci jep shkodrani Rubin Hebaj, golashënuesi më i mirë i Teutës në sezonin e kaluar me 10 gola. Forma e mirë e sulmuesit ka kënaqur stafin, që beson shumë te Hebaj, por gjithashtu te lojtarët më të ri si Dejvid Kapllani dhe Ildi Gruda. Më 4 korrik pritet të nisë stërvitja dhe deri atëherë do të ketë zhvillime sa i përket merkatos.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"