Apolonisë fillojnë t’i largohen lojtarët, u mbylli hotelin dhe mensën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2017 | 19:13

Apolonisë fillojnë t’i largohen lojtarët, u mbylli hotelin dhe mensën

Skandal tek Apolonia. Drejtuesit e klubit vendosin të mbyllin hotelin dhe mensën për lojtarët duke bërë që shumë futbollistë të mendojnë largimin nga skuadra. Lojtarët jabanxhinj të Apolonisë, që ishin pjesë gjatë sezonit të kaluar, nuk kanë dalë në stërvitje me ekipin. Ata nuk kanë se ku të akomodohen dhe ku të ushqehen. Si rrjedhojë, nuk kanë udhëtuar drejt Fierit.

Apolonia

Për këtë, trajneri Kashami është shprehur se po negocion me drejtuesit më të lartë të klubit që me kontributin e të dyja palëve, klubit dhe lojtarëve, mensa dhe hoteli të rihapet siç kanë qenë më parë. Pritet të shihet se çfarë do të vendoset deri në fundjavë në lidhje me këtë çështje kaq shumë të rëndësishme në klubin fierak. Dhe kjo situatë ka sjellë edhe stopimin në merkato. Pa u zgjidhur kjo çështje, nuk mund të flitet për afrime futbollistësh.

Kujtojmë se klubi fierak ishte një prej modeleve që duhet ndjekur në Shqipëri ku funksiononte më së miri sistemi i akomodimit, ushqimit, stërvitje dhe pagesave të lojtarëve. Por, duket se drejtuesit kanë vendosur të ulin në minimum shpenzimet për sezonin e ardhshëm duke qenë se nuk kanë as objektiv për t’u ngjitur në Superiore.

Miqesore Apolonia - Besa

LARGIMET

Kjo situatë ka sjellë edhe largimet e para nga skuadra. Tre futbollistët e parë që kanë vendosur të mos luajnë më për Apoloninë janë mesfushorët Ramadan Ibrahimov, Valentino Rafeski si dhe mbrojtësi shkodran Izmir Balaj. Por, burime brenda klubit bëjnë me dije se priten edhe dy-tre largime të tjera.

Kjo situatë ka nisur ta shqetësojë disi teknikun Kashami. Në lidhje me përgatitjet e skuadrës dhe me synimet në merkato, trajneri shprehet: “Jam i kënaqur nga puna e djemve që kam aktualisht në skuadër. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i minimizojmë të gjitha largimet dhe të afrojmë sa më shpejt edhe lojtarët që nuk kanë dalë ende në stërvitje dhe së bashku me merkaton që pritet të bëjmë, do të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe konkurruese me synime dhe objektiva ambiciozë për sezonin e ri”.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"