Apolonia zyrtarizon blerjen e parë, firmos ish-mesfushori i Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2019 | 15:47

Apolonia zyrtarizon blerjen e parë, firmos ish-mesfushori i Laçit

Skuadra fierake ka zhvilluar dje pas dite seancën e parë stërvitore në drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshi. Ishte dita e katërt e grumbullimit të Apolonisë, por tri ditët e mëparshme ekipi është stërvitur nga zëvendëstrajnerët Kule dhe Meta.

mergjyshi

Rikthimi i 51-vjeçarit Mërgjyshi ka rritur besimin dhe impaktin pozitiv të tifozëve fierakë, të cilët kanë qenë të konsiderueshëm në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, për të ndjekur ekipin në stërvitje.

Kule Apolonia

Nuk kanë munguar edhe batutat që shprehin besimin për të ardhmen e Apolonisë, ku më pikantja ka qenë ajo e një mirëmbajtësi të fushës, i cili ka vënë bast madje vendin e tij të punës, duke u shprehur: “Nëse me profesor Mërgjyshin nuk arrijmë Superligën në fund të këtij kampionati, jap dorëheqjen e parevokueshme nga puna ime!” Një fjali që është shoqëruar me batuta të tjera dhe ngacmime nga tifozët e pranishëm.

SMAÇI – Gjatë kësaj jave, veç futbollistëve nga tregu vendës, pritet të mbërrijnë në Fier edhe 3 brazilianët e anonçuar më parë: një qendërmbrojtës, një mbrojtës krahu dhe një sulmues. Pak ditë më pas priten edhe 4 ekuadorianët, nga të cilët 3 janë sulmues dhe 1 mesfushor i avancuar. Ka ardhur ndërkohë edhe goditja e parë në merkato për Apoloninë.

Smaci

Ai është Erisildo Smaçi, 21 vjeç, një mesfushor i talentuar, organizator ose “numri 6”, siç njihet në zhargonin teknik futbollistik. Ka dalë nga të rinjtë e Partizanit, është aktivizuar më pas te Shënkolli dhe te Laçi i Superligës. I pafat te kurbinasit, pasi pësoi një dëmtim që e la jashtë fushës qysh nga nëntori i vitit të kaluar, por trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, ia njeh mirë vlerat këtij futbollisti. Ai nuk ka ngurruar ta bëjë pjesë të Apolonisë për sezonin e ardhshëm. Ky është afrimi i parë zyrtar i fierakëve, të cilët presin të konkretizojnë të tjera marrëveshje nga dita në ditë.

PROJEKTI – Kur ka projekte serioze, lojtarët fillojnë të bëjnë “naze” dhe një pjesë e mirë përpiqen artificialisht të rrisin “kreditet” e tyre. Është një problem që e vuajnë të gjitha ekipet në kohë merkatoje, ndërsa fierakët nuk marrin futbollistë që nuk e ndiejnë fanellën e Apolonisë, por ata që kanë vlerë, përkushtim dhe ambicie sportive.

Apolonia2

Fierakët këtë herë janë të vendosur të ndërtojnë një skuadër pretendente për në Superligë dhe janë një sërë treguesish që e dëshmojnë. Së pari, e tregon buxheti në rritje për këtë sezon, pastaj projekti për stadiumin e ri, pa harruar rikonstruksionin e stadiumit aktual, ku po shtrohet tapeti i ri. Projektin për sezonin 2019-2020 fierakët e shprehën qartë kur ofruan trajnerin G. Stojku, teksa ekipi nuk rrezikohej në atë pjesë të kampionatit të kaluar.

Por, një gur i fortë prove që kjo Apoloni e ka më seriozisht se kurrë, është rikthimi i trajnerit Artan Mërgjyshi, i cili nuk bindet aq lehtë pa pasur një projekt konkret. Qetësia dhe maturia e tij janë implementuar në të gjitha hallkat e bardhejeshilëve, të cilët vijojnë pa u shqetësuar punën ritmike për përforcimin e skuadrës së re.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"