Apolonia “zgjohet” në merkato, te fierakët shfaqet një maroken për sulmin (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2022 | 11:13

Apolonia “zgjohet” në merkato, te fierakët shfaqet një maroken për sulmin (VIDEO)

Apolonia “zgjohet” në merkato. Në seancën e djeshme, në radhët e fierakëve është parë edhe një lojtar i ri. Bëhet fjalë për Khalid Baba, një lojtar që vjen nga Maroku.

BABA KHALID

Ky i fundit është vetëm 22 vjeç dhe shihet si një përforcim i mundshëm në repartin ofensiv. Ai luan në të dy krahët dhe mund t’i bëjë punë Klevis Dalipit.

Në dy sezonet e fundit ka luajtur në vendlindje, me Maghred As De Fes.

Akord përfundimtar nuk ka, pasi ai do të jetë në provë për disa ditë. Largimi i disa sulmuesve, si Redon Mihana e Rimal Haxhiu, si dhe huazimi i mesfushorit Mariel Sota e detyron klubin të mendojë për të përforcuar vijën e parë.

Zyrtarisht tek Apolonia bëhen dy lojtarë në provë, portieri kosovar Fatos Sinani dhe sulmuesi maroken Khalid Baba.

Fjala e fundit nuk është thënë ende nga stafi teknik dhe drejtuesit fierakë, pasi duhet të binden plotësisht gjatë këtyre seancave stërvitore për aftësitë dhe cilësitë e lojtarëve në fjalë.

Apolonia është në kulmin e fazës përgatitore. Ngarkesat kanë ardhur në rritje dhe vëmendja e trajnerit këtë herë u përqendrua te testet fizike.

Tekniku me stafin e tij po vëzhgojnë me kujdes çdo lojtar me qëllimin e vetëm që ky sezon i ri të jetë më i mirë ai paraardhës. Drejtuesit nuk premtojnë asgjë, por puna e nisur më 11 korrik nga trajneri Dalipi është për t’u vlerësuar.

Këtë herë në kampin fierak janë me këmbë në tokë. Ata preferojnë më shumë punën në fushë sesa fjalët nëpër media.

Përgatitësi atletik Dario Dian ka luajtur një rol të rëndësishëm në aspektin fizik të lojtarëve, ndaj u rikonfirmua si pjesë e stafit të Apolonisë edhe për sezonin e ri futbollistik 2022- 2023.

Në seancën e djeshme, ky i fundit ka ndjekur me vëmendje dhe interes angazhimin e të gjithë lojtarëve. Madje, skuadra është ndarë në disa grupe për të mos krijuar ngjeshje në radhët e lojtarëve.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"