Apolonia, vjen sulmuesi nga Amerika. Mbrojtësi Nako parashikon një sezon si kampion

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 31, 2019 | 19:24

Apolonia Kategoria e pare Të fundit

Apolonia, vjen sulmuesi nga Amerika. Mbrojtësi Nako parashikon një sezon si kampion

Ashtu siç e parala jmëroi “Panorama Sport”, ka mbërritur dje në Fier sulmuesi amerikan, Dankuan King. Bëhet fjalë për një futbollist 25-vjeçar, që ka luajtur së fundmi në Ligën A të kampionatit lituanez me skuadrën Panevezys.

dakuan king

Menaxherët e tij pretendojnë dhe e kanë paraqitur se luan edhe si qendërsulmues, paçka se King është vetëm 1.70 metra i gjatë dhe në ekipet e mëparshme ka luajtur si sulmues krahu, më së shumti majtas, apo edhe si mesfushor. Në 26 ndeshje ai ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 14 asiste te Panevezys, por këto janë vetëm informacione që fierakët kanë marrë nga agjenti i tij, pasi në asnjë faqe në internet nuk gjenden të zyrtarizuara këto të dhëna.

E sigurt është që King nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë vitit 2019 dhe do t’i duhet të kalojë “vetingun” sportiv të trajnerit Mërgjyshi, nëse e meriton të jetë pjesë e Apolonisë. Kryepankina fierake ka miratimin e plotë nga drejtuesit e klubit për të vendosur mbi vlerat dhe përzgjedhjet e lojtarëve, dëshmi që nuk mund të vijë cilido te kjo skuadër pa pasur cilësinë e duhur, si lojtar vendës e ca më pak i huaj. Dhe është fusha ajo që tregon. Ky është barometri matës i çdo lojtari, me çfarëdo “CV”-e që vjen tek Apolonia.

NAKO – Rudin Nako është një ndër modelet e Apolonisë. Lojtari më i përvojës, ish-kapiten, tashmë edhe me një licencë trajneri në xhep, UEFA B, përfunduar muajin e kaluar në Fier. Me një eksperiencë të gjatë në shumë skuadra të tjera si: Korabi, Bylis, Egnatia etj., qendërmbrojtësi fierak nuk e fsheh dëshirën e tij për sezonin që vjen, duke “shënjuar” titullin kampion të Grupit B të Kategorisë së Parë.

“Kemi të drejtë të ëndërrojmë dhe të kërkojmë suksesin. Është emri i skuadrës që na motivon, por edhe projekti i sinqertë i klubit tonë. U bënë kaq vite lodhje në këtë kategori, sidomos për traditën e skuadrës dhe për tifozët tanë. Unë parashikoj një sezon me mundësi pozitive, projekte reale dhe asgjë nuk është e pamundur. Prapë sfida mbetet për të gjithë ne, që nga drejtuesit e çdo niveli e gjer te futbollisti më i ri. Nëse jemi kompaktë dhe unik, kemi arsye të forta pse të bëhemi optimistë për të arritur objektivin më të lartë”, thotë Rudin Nako, lojtari më me përvojë tek Apolonia.

BUJAR RAMA Matjanët




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com