Apolonia-Turbina/ Ka mungesë në mesfushë, Kanarsa dilema për 11-shen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 10:56

Apolonia-Turbina/ Ka mungesë në mesfushë, Kanarsa dilema për 11-shen

Apolonia rikthehet në shtëpi. Pas humbjes së pësuar në Ballsh, bardhejeshilët kërkojnë që të gjejnë fitoren e munguar. Luajnë në “Loni Papuçiu” dhe ky është shansi më i mirë. Përballë do të kenë Turbinën dhe objektivi mbetet fitorja.

kanarsa

Rrugë tjetër nuk kanë, nëse nuk duan që të komplikojnë pozitat në renditje. Vendi i 11-të rëndon, ndaj autokritika bëhet domosdoshmëri. Kohë për të “qarë” atë që ka shkuar nuk ka. Edhe pse kanë lënë ndjeshëm pikë gjatë fazës së parë dhe misioni “Superiore” është gjithnjë e më larg, vetëm një fitore do të sillte qetësinë. Kampionati është i ngjeshur dhe përqendrimi duhet maksimal. Këtë u ka kërkuar të tijve edhe Juri Kanarsa.

Në Fier kanë shansin që të rikuperojnë pikët e munguara, pasi fundjava i çon sërish në transfertë. Stafi teknik nuk e ka pasur grupin të plotë në seancën e fundit. Mesfushori Enes Papaj dhe mbrojtësi Eljo Gjata vazhdojnë prej javësh të dëmtuar, por listës i janë shtuar Mateo Shanaj dhe Erisildo Smaçi. Ata kanë pasur probleme fizike dhe kanë pak shanse që të luajnë. Alternativat për mesfushën nuk mungojnë, por mbetet për t’u parë se çfarë zgjedhjeje do të bëjë tekniku italian.

fm

Turbina me “oreks”, e kënaq edhe një pikë në Fier

Turbina ka mbyllur përgatitjet për javën e 10-të, të cilën e luan në transfertë. Fitorja me Vorën ka sjellë qetësinë te cërrikasit, pasi dorëzuan vendin e fundit në tabelë. Tashmë u është hapur oreksi, ndaj në Fier udhëtojnë me ide të qarta. Nuk kanë në plan që të kthehen duarbosh, madje edhe një pikë i kënaq. Atmosfera në kampin e verdhë është e mirë dhe kjo gjë e gëzon së tepërmi stafin teknik. Ata kërkojnë nga grupi i lojtarëve të njëjtën paraqitje si ndaj vorakëve, duke u mbrojtur me shumë forca dhe rrezikuar me kundërsulme.

Në “Loni Papuçiu” kanë bilanc të kënaqshëm dhe mendojnë se kjo histori mund t’i përndjekë edhe sot. E lehtë nuk do të jetë ama, pasi Apolonia është më e etur se kurrë për të gjetur kthesën. Vijnë nga humbja, ndaj në shtëpi do të kërkojnë me çdo kusht fitoren. Megjithatë, të besuarit e Alfred Allamanit nuk tremben. Ata tashmë i kanë ndezur “motorët” dhe nuk kanë ndër mend të ndalen

HILMI SALIU/ MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"