“Apolonia thyen Bylisin dhe unë rikthehem te goli”, Mihana: Nuk kemi asnjë presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 23:00

“Apolonia thyen Bylisin dhe unë rikthehem te goli”, Mihana: Nuk kemi asnjë presion

Apolonia-Bylisi, përveçse “derbi”, këtë herë ka interes të veçantë nga të dyja palët. Në pozicionin ku ndodhen, secila skuadër i ka emergjencë pikët, ndaj dhe fitorja merr vlerë të dyfishtë. Në kampin fierak ka qetësi dhe angazhim për ta përgatitur siç duhet sfidën, por mallakastriotët që kanë 9 javë pa fituar duan të rikthehen aty ku e kanë lënë: të mposhtin Apoloninë, ashtu si në javën e 11-të, kur ballshiotët fitonin për herë të fundit në kampionat, 3-1 kundër fierakëve. Për të motivuar skuadrën e tij, mendon Redon Mihana, një nga lojtarët më të mirë të Apolonisë. Anësori i Apolonisë dha një intervistë për “Panorama Sport”, në vigjilje të kësaj sfide.
Mihana-77-1
Mihana, hera e parë që luani në Superligë. Si ju është dukur ky sezon, ku keni shënuar vetëm dy herë?
I fortë dhe i vështirë, pa dyshim. Për një ekip si ne me moshë të re dhe pa eksperiencë, Superliga normalisht që do të kishte vështirësi. Sa u përket golave, ndoshta prej detyrave taktike të trajnerëve, por kam qenë edhe i pafat. Shpresoj të zhbllokohem ndaj Bylisit.

Kaq janë mundësitë e Apolonisë apo duhet pritur më tepër nga skuadra?
Për asnjë ekip nuk mund të thuhet se kaq janë mundësitë. Pavarësisht moshës së re, te ne ka një grup lojtarësh që luajmë bashkë prej vitesh. Edhe suksesi i vjetshëm në Kategorinë e Parë nuk qe i lehtë, por ne ia dolëm duke fituar rritje, besim dhe siguri javë pas jave. Këtë kampionat janë objektiva të tjerë, por mendoj se ekipi ka forcë për t’ia dalë mbanë sërish. Shikoni lojërat tona, të paktën të këtij viti. Kemi luajtur si të barabartë me Tiranën, Teutën e Vllazninë, kemi barazuar në transfertë me Partizanin dhe kemi fituar me Laçin. Mbase mungesa e përvojës dhe pakujdesia na ka çuar te humbja në ndeshjet e tjera.
Apolonia-Bylis
Të shtunën ju pret “derbi” me Bylisin. Si e parashikon Mihana këtë përballje?
Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi të tilla janë pozitat tona në renditje, ndaj besoj se të dyja skuadrat do të përpiqen të japin më të mirën në fushë. Ne e kemi vlerësuar si ndeshjen e radhës, edhe pse luajmë ndaj një rivali direkt. Nuk kemi presion dhe do të luajmë vetëm për fitore, asnjë rezultat tjetër nuk na intereson.

Do të ndikojë rezultati i kësaj ndeshjeje në ecurinë e mëtejshme?
Normale që fitorja ndikon në moralin dhe psikologjinë e skuadrës, por është ende herët për të thënë se do të ketë ndikime të pariparueshme për skuadrën humbëse. Është gati gjysma e kampionatit pa u luajtur. Ajo që mund të them, është se çdo ndeshje duhet vlerësuar me përparësi dhe seriozitet, duke dhënë maksimumin tonë e duke kërkuar rezultat pozitiv dhe pikë përballë çdo skuadre.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"